Federata angleze e Futbollit ka marrë një vendim të ri që do të ndryshojë sistemin e play-off-it për ngjitjen në Ligën Premier nga Championship.
Edhe sezonin e ardhshëm, dy ekipet e para në tabelë do të sigurojnë ngjitjen direkte në Ligën Premier. Megjithatë, ndryshimi i madh vjen te play-off-i për vendin e fundit që dërgon në elitën e futbollit anglez.
Deri më tani në play-off merrnin pjesë ekipet nga vendi i tretë deri në të gjashtin, ndërsa nga sezoni i ardhshëm në garë do të jenë ekipet nga vendi i tretë deri në të tetin në renditje.
Vendimi është marrë për të shtuar dramën dhe konkurrencën në fund të sezonit, duke u dhënë më shumë klubeve mundësinë për të luftuar për ngjitjen në elitën e futbollit anglez.
Sipas formatit të ri, skuadrat që përfundojnë në vendin e tretë dhe të katërt do të kualifikohen automatikisht në gjysmëfinalet e play-off-it.
Ndërkohë, vendi i pestë do të përballet me vendin e tetë dhe vendi i gjashtë me vendin e shtatë në fazën paraprake të play-off-it, për të siguruar dy vendet e fundit në gjysmëfinale.
Në këtë sezon, lufta për ngjitje në Ligën Premier është shumë e fortë. Në krye të tabelës aktualisht ndodhet Coventry City, i ndjekur nga Middlesbrough në vendin e dytë, ndërsa vendin e tretë e mban Ipswich Town dhe të katërtin Millwall.
Në garë për play-off është edhe Hull City, skuadër që aktualisht renditet në vendin e pestë. /Telegrafi/