Sot, në një ngjarje të organizuar nga organizata “Next Gen Networks Institute”, u promovua roli i të rinjve në inovacion dhe teknologji në Kosovë.
Shpresa Metaj, drejtoreshë e kësaj organizate ka thënë se Qendra Kosova Innovations, bashkëpunon me Ambasadën Amerikane në Kosovë dhe Komunën e Pejës, e cila siç tha “ofron mundësi të shumta për zhvillim dhe trajnim për të rinjtë e rajonit të Pejës, Deçanit dhe Istogut”.
Ajo theksoi se qendra ka shërbyer si një hapësirë kyçe për trajnimet në fushën e teknologjisë informative, duke ofruar një numër të madh trajnimesh për të rinjtë e interesuar.
Në këtë fazë, Metaj tha se fokusi është në avancimin e mëtejshëm të këtyre trajnimeve, duke bashkëpunuar përsëri me Ambasadën Amerikane, me fokus në fusha si siguria kibernetike, inteligjenca artificiale (AI), kompjuterët kuantik, teknologjia 5G dhe Claudialoops.
Metaj theksoi se synimi i qendrës është të bëhet një nga qendrat më të mira të inovacionit në rajonin e Dukagjinit dhe më gjerë, duke u bërë një pikë referimi për zhvillimin e të rinjve dhe inovacionin teknologjik.
Kosova Innovations sot organizoi një tekathon me emrin “GenAI”, i cili i dedikohet të rinjve nga mosha 12 deri në 13 vjeç.
“Në këtë organizim kemi mbledhur të rinjtë prej moshave 12 – 13-të të cilën e ka emrin ‘GenAI’. Kjo është në nivel global, ku të rinjtë tërë ditën kanë me kriju një ide inovative, kanë me përfshirë edhe AI dhe kanë me prezantu në fund të ditës te juria që kanë për të bërë përzgjedhjen e fituesve”, ka thënë Metaj.
Organizatorët gjithashtu planifikojnë të shpërblejnë projektet më të mira edhe përtej pjesëmarrjes në Global GenAI, duke ofruar mundësi shtesë motivuese për të rinjtë inovatorë. /Telegrafi/