Legjenda holandeze Wesley Sneijder ka zbuluar se ka marrë rreth 4,000 kërcënime me vdekje pas komenteve të tij lidhur me një incident të dyshuar racist në ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes SL Benfica dhe Real Madrid CF (0-1).
Incidenti ndodhi kur sulmuesi i Real Madridit, Vinícius Júnior, akuzoi lojtarin e Benficas, Gianluca Prestianni, se e kishte ofenduar me fjalë raciste. Situata shkaktoi tension në fushë dhe reagime të shumta pas ndeshjes.
UEFA e ka pezulluar përkohësisht Prestiannin me një ndeshje, duke e lënë jashtë takimit të kthimit në “Santiago Bernabéu”.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, futbollisti argjentinas ka mohuar akuzat për fyerje racore gjatë dëshmisë së tij para UEFA-s, duke pretenduar se përdori një fjalë tjetër jo me përmbajtje raciste dhe se gjithçka kishte nisur pas një ofendimi paraprak ndaj tij.
Sneijder, i cili aktualisht punon si analist për Ziggo Sport, reagoi ashpër ndaj incidentit. Ai deklaroi se, nëse një situatë e tillë do të ndodhte në ekipin e tij, do ta konsideronte të papranueshme.
“Shokët e skuadrës së Vinicius janë të bindur se ai nuk shpik gjëra. Në fytyrën e Prestiannit shihej frika dhe ishte e qartë se ai e kuptoi që kishte bërë një gabim të madh. Do të ketë pasoja,” u shpreh ish-mesfushori.
Komentet e tij shkaktuan reagime të forta, veçanërisht në Argjentinë. Duke folur në emisionin “Rondo”, Sneijder pretendoi se për shkak të deklaratave të tij ka marrë mijëra mesazhe kërcënuese.
“Është një temë e tmerrshme. Javën e kaluar mora 4,000 kërcënime me vdekje nga Argjentina vetëm sepse shpreha mendimin tim. Secili ka të drejtë të ketë mendimin e vet. Edhe ata që më kërcënojnë kanë mendimin e tyre. Unë e bazoj analizën time në atë që shoh,” deklaroi 41-vjeçari.
Pavarësisht presionit dhe kërcënimeve, Sneijder theksoi se nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe vazhdon t’i qëndrojë analizës së bërë për incidentin. /Telegrafi/