Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka realizuar vizitën e tij të parë zyrtare në Paris, ku po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Bujqësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Paris, Ministri Muja u takua me Ministren franceze të Bujqësisë, Annie Genevard. Në këtë takim u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Francës në sektorin e bujqësisë, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira, si dhe nxitja e investimeve të reja franceze në Kosovë.
Me këtë rast, Ministri Muja theksoi gatishmërinë e tij për bashkëpunim të hapur dhe konkret, duke vënë në pah prioritetet kryesore të institucionit që drejton.
“Jemi të hapur për bashkëpunim me Francën dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, me fokus të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve, si dhe avancimin e zhvillimit rural në Kosovë. Këto fusha përbëjnë prioritetet tona kryesore dhe janë thelbësore për rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve,” u shpreh Ministri Muja.
Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit institucional, me synim arritjen e një marrëveshje konkrete që do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale në të dy vendet.
Vizita e Ministrit Muja në Paris vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërkombëtar dhe promovimit të potencialit bujqësor të Kosovës në arenën evropiane. /Telegrafi/