Floyd Mayweather Jr. dhe Manny Pacquiao do të përballen sërish në një revansh profesional që do të zhvillohet më 19 shtator në “The Sphere” në Las Vegas, plot 11 vite pas duelit të tyre të parë historik.
Mayweather, 48 vjeç, do të dalë zyrtarisht nga pensionimi për këtë sfidë, ndërsa Pacquiao, 47 vjeç, vazhdon ende karrierën aktive. Filipinoi u rikthye në ring më 19 korrik 2025, kur barazoi me Mario Barrios për titullin WBC në peshën “welterweight”.
Përballja e parë mes tyre, më 2 maj 2015, e cilësuar si “Ndeshja e Shekullit”, përfundoi me fitore të Mayweather me vendim unanim, duke e çuar rekordin e tij në 48-0. Ai më pas e mbylli karrierën me bilanc perfekt 50-0, pas fitoreve ndaj Andre Berto dhe Conor McGregor.
“E kam mundur Mannyn një herë dhe rezultati do të jetë i njëjtë”, është shprehur Mayweather.
Nga ana tjetër, Pacquiao deklaroi: “Unë dhe Floyd i dhamë botës ndeshjen më të madhe në historinë e boksit. Tifozët e kanë pritur gjatë këtë revansh. Dua që Floyd ta përjetojë një humbje në rekordin e tij profesional dhe të kujtojë se kush ia dha atë”.
Revanshi pritet të transmetohet globalisht në Netflix dhe konsiderohet si kapitulli i dytë i një rivaliteti gjeneracional, që për vite me radhë u kërkua nga tifozët para se të realizohej në 2015.
Ndeshja e parë vendosi rekorde financiare në boks, me të ardhura rekord nga biletat dhe 4.6 milionë blerje “pay-per-view”, duke u bërë përballja më fitimprurëse në histori.
Mayweather ka zhvilluar disa duele ekzibicionale pas pensionimit, përfshirë përballje me Logan Paul dhe John Gotti III, ndërsa ky do të jetë rikthimi i tij i katërt zyrtar pas tërheqjeve të mëparshme në vitet 2007, 2015 dhe 2017.
Tani, mbi një dekadë më vonë, dy legjendat e ringut do të rikthejnë një nga rivalitetet më të mëdha në historinë e sportit, në një duel që pritet të tërheqë sërish vëmendjen e mbarë botës. /Telegrafi/