Sot është pothuajse e pamundur të imagjinohet që një klub jashtë elitës financiare të Evropës të fitojë Ligën e Kampionëve.
Por në dekadat e kaluara, Kupa e Kampionëve, siç njihej Liga e Kampionëve ishte shumë më e paparashikueshme. Përpara dominimit modern të gjigantëve si Real Madrid, Barcelona apo Bayern Munich, Evropa ka njohur disa histori të jashtëzakonshme që sot duken thuajse të pamundura.
Ja disa nga triumfet më befasuese në historinë e turneut, më prestigjioz evropian.
Celtic (1966/67)
Celtic u bë klubi i parë britanik që fitoi Kupën e Kampionëve dhe mbetet i vetmi kampion evropian nga Skocia. Në finalen e Lisbonës më 1967, skuadra e Jock Stein mposhti Interin e Helenio Herrerës me rezultat 2-1.
Italianët kaluan të parët në epërsi me penallti, por “Luanët e Lisbonës” përmbysën gjithçka falë golave të Tommy Gemmell dhe Stevie Chalmers. Ajo që e bën këtë sukses unik është fakti se të gjithë lojtarët e Celtic ishin nga Glasgou dhe shumica jetonin vetëm disa kilometra larg stadiumit.
Feyenoord (1969/70)
Feyenoord u bë klubi i parë holandez që fitoi Kupën e Kampionëve, duke hapur rrugën për epokën e artë të futbollit holandez.
Nën drejtimin e Ernst Happel, skuadra eliminoi Milanin dhe në finale mposhti Celtic 2-1 pas vazhdimeve. Ove Kindvall shënoi golin vendimtar në minutën e 117-të. Ky triumf konsiderohet si pararendës i “futbollit total” që më pas do ta dominonte Ajaxi.
Nottingham Forest (1978/79)
Një nga historitë më të pabesueshme në futboll. Vetëm një vit pasi fitoi titullin në Angli, Nottingham Forest i Brian Clough arriti të fitonte Kupën e Kampionëve.
Në finale mposhti Malmon 1-0 me golin e Trevor Francis, transferimi i parë milionësh në Angli. Forest e përsëriti suksesin edhe sezonin pasues, duke dëshmuar se nuk ishte thjesht një rastësi.
Aston Villa (1981/82)
Aston Villa, pa yje të mëdhenj dhe me trajner të ri (Tony Barton), arriti të ngjitet në majën e Evropës.
Në finale përballë Bayern Munich, portieri rezervë Nigel Spink – i futur herët në lojë për shkak dëmtimi – zhvilloi ndeshjen e jetës. Goli i vetëm i Peter Withe i dha fitoren 1-0 anglezëve dhe vulosi një nga triumfet më të nënvlerësuara në histori.
Hamburg (1982/83)
Hamburg i Ernst Happel befasoi Evropën duke mposhtur Juventusin e Michel Platini në finale.
Felix Magath shënoi që në minutën e 8-të dhe gjermanët mbrojtën me disiplinë epërsinë 1-0 deri në fund. Ishte triumfi i dytë evropian për Happel, i cili u bë trajneri i parë që fitoi Kupën me dy klube të ndryshme.
Steaua (1985/86)
Triumfi i Steaua Bukuresht mbetet një nga historitë më të pabesueshme të futbollit evropian. Skuadra rumune u bë klubi i parë nga blloku lindor që fitoi Kupën e Kampionëve.
Finalja ndaj Barcelonës përfundoi 0-0, ndërsa në penallti portieri Helmuth Duckadam priti katër goditje radhazi – një rekord që vazhdon të mbetet unik. Ishte një sukses me simbolikë të madhe sportive dhe politike.
Porto (1986/87)
Porto i Artur Jorge tronditi Bayern Munich në finale. Pas disavantazhit të hershëm, Rabah Madjer realizoi një nga golat më të famshëm në histori – me thembër – ndërsa Juary shënoi për 2-1.
Ky sukses vendosi themelet për identitetin evropian të klubit, që më vonë do të fitonte sërish nën drejtimin e Jose Mourinhos.
PSV (1987/88)
PSV i Guus Hiddink fitoi trofeun në një nga rrugët më të pazakonta drejt finales. Skuadra holandeze kaloi disa raunde vetëm me barazime, falë rregullit të golit jashtë fushe.
Në finale ndaj Benficas, pas një 0-0 tjetër, PSV triumfoi me penallti 6-5. Portieri Hans van Breukelen priti penalltinë vendimtare dhe kompletoi një sezon historik, ku PSV fitoi edhe kampionatin dhe Kupën e Holandës.
Marseille (1992/93)
Marseille mbetet për një kohë të gjatë klubi i vetëm francez që fitoi Ligën e Kampionëve. Në finalen e Mynihut mposhti Milanin e Fabio Capellos me golin e Basile Boli për 1-0.
Ishte një sukses historik për futbollin francez, edhe pse më pas klubi u përfshi në një skandal brenda kampionatit vendas.
/Telegrafi/