Pak emra ishin aq të përfolur në mediat e futbollit verën e kaluar sa Nico Williams. Çuditërisht, ai vendosi të qëndrojë te Athletic Bilbao, por tani anësori duket se po e rishqyrton vendimin e tij.
Williams shkaktoi një nga surprizat më të mëdha të merkatos së verës duke zgjatur kontratën me klubin bask, ndonëse në garë për të ishin edhe Bayern Munich dhe Barcelona.
Megjithatë, pas disa muajsh dhe një sezoni deri tani zhgënjyes (30 ndeshje), spanjolli raportohet se po mendon sërish për të ardhmen e tij.
Sipas mediumit Teamtalk, Williams mund të marrë në konsideratë një largim gjatë verës së ardhshme. Kjo thuhet se u është komunikuar përmes ndërmjetësve disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester United, Paris Saint-Germain dhe sërish Bayern Munich.
Kontrata e re e Williams është e vlefshme deri në vitin 2035, por përfshin një klauzolë lirimi që kap vlerën e afro 100 milionë eurove. Përfaqësuesit e lojtarit thuhet se tashmë po eksplorojnë opsionet e mundshme në treg.
Sa i përket Bayern Munich, klubi gjerman është në kërkim të një sulmuesi krahu për ta zhvilluar gradualisht pas Luis Díaz, por duket pak e mundshme që të investojë një shumë nëntëshifrore për Williams.
Kjo sidomos për faktin se lojtari ka pasur probleme të vazhdueshme me ijën gjatë këtij sezoni, çka mund t’i rrezikojë edhe vendin në skuadrën e Kupës së Botës. /Telegrafi/