Në seancën e Kuvendit për miratimin e buxhetit të vitit 2026, përfaqësuesit e grupeve parlamentare shprehën qëndrime të ndryshme mbi dokumentin e miratuar nga Qeveria.
Arbërie Nagavci, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, tha se duke pasur parasysh situatën emergjente dhe faktin që ky është buxheti më i madh që ka pasur Kosova, LVV i jep mbështetje të plotë buxhetit.
“Duke pasur parasysh emergjencën që ndodhemi dhe nevojën që të gjitha institucionet të funksionojnë në mënyrë të rregullt, dhe duke shtuar faktin që ky është buxheti më i madh që ka pasur Kosova, ne i japim mbështetje të plotë këtij buxheti”, tha Nagavci.
Nga ana e tij, Bedri Hamza në emër të Partia Demokratike e Kosovës u shpreh se vendi ka nevojë për buxhet, por kritikon urgjencën për miratimin e tij.
“E kuptoj rëndësinë që vendi të ketë buxhet. Mirëpo, nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe. Nuk dua të besoj se kjo lidhet me zgjedhjen e presidentit. E para, të pamundësojmë deputetët që të shprehin kritika për këtë dokument të rëndësishëm, e dyta, vendi ka nevojë për institucione”, tha Hamza.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkoi që buxheti të reflektojë ndryshimet në strukturën e qeverisë dhe zotimet e ekspozesë së kryeministrit.
“Buxheti duhet të reflektojë strukturën e ministrive, të mos ndahet vetëm nga Ministria e Financave por nga Kuvendi. Po ashtu, duhet të pasqyrojë ekspozenë që Kurti prezantoi në ditën e formimit të qeverisë dhe të sigurojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë”, tha Abdixhiku.
Ndërsa Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi faktin që buxheti nuk reflekton premtimet qeveritare dhe projekti i miratuar është i njëjti me atë të 31 tetorit 2025.
“Esenca është se ky buxhet është miratuar me 31 tetor 2025 dhe në tabelat e projekteve kapitale është i njëjti. Ky është një buxhet provizor, që për pak muaj do të i nënshtrohet rishikimit, dhe nuk reflekton premtimet e qeverisë”, tha Tahiri. /Telegrafi/