Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe diplomati më i lartë i Donald Trump, ndodhet tani në Sllovaki, ku po takohet me udhëheqësin e vendit.
Duke folur në një konferencë për shtyp së bashku me Robert Fico-n, ai u pyet në lidhje me pretendimin – të bërë nga Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët – se figura e shquar e opozitës ruse u helmua kur vdiq dy vjet më parë.
Rubio tha se është në dijeni të raporteve, transmeton Telegrafi.
Dhe shtoi se SHBA-të nuk po e kundërshtojnë vlerësimin dhe nuk kanë arsye ta vënë në dyshim atë.
“Është një raport shqetësues. Ne jemi në dijeni të rastit të Navalny dhe sigurisht nuk kemi asnjë arsye ta vëmë në dyshim. Nuk po e kundërshtojmë. Por ishte raporti i tyre dhe ata e publikuan atë” tha ai.
Ndryshe Alexei Navalny ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në një burg në Rusi, derisa agjenci perëndimore të inteligjencës kishin deklaruar nga fillimi se ai ishte helmuar.
Navalny ishte një kundërshtar i zëshëm politik i presidentit rus Vladimir Putin. Ai jetoi prej vitesh në vendet perëndimore, para se të vendoste të rikthehej në vendlindje. /Telegrafi/