25-vjeçari Keshad Johnson fitoi garën e nguljeve në All-Star të NBA-së, duke kurorëzuar një mbrëmje spektakolare me performanca mbresëlënëse.
Në finalen vendimtare ai mposhti Carter Bryant, i cili e mbylli garën në vendin e dytë.
Johnson grumbulloi 97.4 pikë në total, duke i siguruar Miami Heat një tjetër titull në konkursin e nguljeve. Në duelin final ai triumfoi në përpjekjen e fundit ndaj Bryant, krahut të San Antonio Spurs, duke vulosur fitoren me një paraqitje të sigurt dhe kreative.
– YouTube www.youtube.com
Nguljet e tij ishin ndër më të komentuarat e mbrëmjes. Veçanërisht spikati realizimi ku e futi topin midis këmbëve nën kosh, si dhe një tjetër moment spektakolar kur kaloi mbi një lojtar në zonën e raketës dhe përfundoi me dorën pas kokës – një lëvizje që e çoi drejt finales dhe ngriti publikun në këmbë.
Triumfi merr edhe më shumë peshë duke pasur parasysh rrugëtimin e tij. Johnson nuk u përzgjodh në draftin e vitit 2024 dhe këtë sezon ka pasur rol të kufizuar në rotacion, me një mesatare prej 3.1 pikësh për ndeshje.
Megjithatë, në skenën e All-Star ai shfrytëzoi momentin për të treguar potencialin dhe atletizmin e tij, duke e kthyer natën në një pikë kthese të rëndësishme në karrierën e tij. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com