Reperi i njohur shqiptar White OG, ish-anëtar i grupit të hip-hopit “Da Ligs”, ka rrëfyer së fundmi arsyet që e shtynë të tërhiqej nga muzika dhe t’i përkushtohej plotësisht besimit fetar.
I ftuar në Shok Podcast, artisti, emri i plotë i të cilit është Bardhyl Gashi, tregoi se vendimi për t’u larguar nga skena nuk erdhi papritur, por ishte rezultat i një procesi të brendshëm reflektimi dhe bindjeje personale. Ai zbuloi se në periudhën kur vendosi ta linte muzikën ishte tepër i fokusuar në teori dhe perceptime që lidhen me anën e errët të industrisë, gjë që ndikoi në mënyrën si e shihte profesionin e tij.
“Në kohën kur e kam lënë muzikën kam qenë shumë i fokusuar te Illuminati dhe kam parë shumë gjëra negative te muzika. Edhe për atë s’kam pasur qejf me e bo shumë të madhe, kam dashur me u largu ngadalë. Sepse nuk e kam ditur kurrë më vonë se çfarë bëhet. Jam tërhequr ngadalë, e kam praktikuar fenë dhe sot e praktikoj fenë, s’e kam nijet me e lëshu kurrë derisa të vdes”, u shpreh ai.
Sipas tij, largimi gradual ishte zgjedhja më e drejtë për të shmangur zhurmën mediatike dhe për t’u fokusuar në jetën shpirtërore. Sot, ish-reperi thekson se është i përkushtuar ndaj praktikimit të fesë myslimane dhe nuk e sheh më veten pjesë të industrisë muzikore.
Rrëfimi i tij ka ngjallur interes të madh në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë komentuar transformimin e tij nga artist i skenës urbane në një figurë që tashmë i kushtohet predikimit dhe jetës fetare. /Telegrafi/