Juventus ka vendosur një çmim për një transferim të mundshëm të mbrojtësit Federico Gatti, i cili ka tërhequr interes nga Milan, Napoli dhe disa klube të Ligës Premier gjatë këtij sezoni.
Si Milani ashtu edhe Napoli kanë shprehur interes për të siguruar shërbimet e Gattit. Napolitanët thuhet se bënë një kërkesë gjatë verës, ndërsa “Rossonerët” u interesuan për situatën e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas raportimeve të së enjtes nga Calciomercato.com, madje ka pasur edhe një telefonatë mes Massimiliano Allegri dhe Gattit, të cilët kanë punuar më parë së bashku në Torino, për të diskutuar situatën aktuale.
Megjithatë, drejtuesit e Milanit nuk ishin unanimë në vendimin për të avancuar me transferimin e tij, ndaj çështja mbeti pezull në ditët e fundit të aftatit kalimtar të janarit.
Aktualisht, Gatti është i përqendruar të rikthehet në formacionin titullar të trajnerit Luciano Spalletti, si dhe synon një vend në përfaqësuesen e Italisë për ndeshjet e “play-off”-it të Kupës së Botës në muajin mars.
Nëse Italia kualifikohet, ai do të kërkojë gjithashtu të përfshihet në listën përfundimtare për fazën finale të Botërorit.
Për momentin, një largim nga Juventusi është i pamundur deri në hapjen e merkatos verore, por sipas raportimeve të fundit, do të nevojitej një ofertë rreth 25 milionë euro për të bindur klubin torinez të shesë mbrojtësin.
Juventusi pagoi 7.5 milionë euro, plus deri në 2.5 milionë euro në formë bonusesh, për ta transferuar Gattin nga Frosinone në vitin 2022./Telegrafi/