Një banor i Floridës, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e kishte falur për përfshirjen në trazirat në Capitol Hill më 6 janar 2021, u shpall fajtor të martën për disa akuza për sulme seksuale ndaj fëmijëve.
Andrew Paul Johnson u dënua nga një jurie në qarkun Hernando për pesë pika të aktakuzës, duke përfshirë abuzim me një fëmijë nën 12 vjeç dhe një tjetër nën 16 vjeç, si dhe për veprime të pandershme dhe të papërshtatshme. U lirua nga një pikë e aktakuzës për dërgimin e materialeve seksuale tek një fëmijë.
Sipas raportit të policisë, abuzimet ndodhën gjatë një periudhe disa mujore. Në dokumente përmendet se Johnson, i përshkruar si “ish-i dashuri” i nënës së një prej fëmijëve abuzuar, i kishte dërguar mesazhe të papërshtatshme përmes platformës së lojërave Discord djalit të mitur.
Fëmija i tha nënës se Johnson e kishte sulmuar tre herë midis 1 prillit dhe tetorit 2024, duke filluar kur djali ishte 11 vjeç, raporton cbs.
Gjithashtu, Johnson e detyroi viktimën të heshtë duke thënë se Trump do t’i paguante 10 milionë dollarë si dëmshpërblim për akuzat e 6 janarit dhe se ai do ta përfshinte në testament në mënyrë që të merrte të gjithë paratë e mbetura. Kjo, sipas hetuesve, ishte përdorur për të shtyrë viktimën që të mos tregojë të vërtetën.
Johnson më parë ishte dënuar me një vit burg për krime jo të dhunshme lidhur me trazirat në Kongresin amerikan dhe më vonë kishte përhapur informacione të rreme në rrjetet sociale dhe kishte inspiruar thirrje për trazira të tjera më shumë se një vit pas arrestimit të tij. /Telegrafi/