Qeveria “Kurti 3” ka përbërje të re në disa poste kyçe, duke përfshirë ministra me eksperiencë akademike dhe profesionale në fusha të ndryshme, nga politika e jashtme, drejtësia tranzicionale, bujqësia dhe infrastruktura, deri te administrata publike dhe digjitalizimi.
Fitore Pacolli–Dalipi, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – është e lindur më 27 prill 1982 në Prishtinë. Ajo është kandidate për doktoraturë në Shkenca Politike dhe Drejtësi në Universitetin e Gracit në Austri. Pacolli–Dalipi ka përfunduar studimet master në Politika dhe Qeverisje të Bashkimit Evropian në London School of Economics and Political Science, ndërsa studimet themelore i ka kryer në London Metropolitan University dhe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Ajo ka një përvojë të gjerë akademike dhe profesionale, duke përfshirë ligjërim në Kolegjin Universum dhe në programin e përbashkët të Kolegjit Riinvest me London School of Economics në Londër. Pacolli–Dalipi ka shërbyer si Shefe e Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe ka përvojë tetëvjeçare në mësimdhënie në shkolla lokale dhe ndërkombëtare. Në katër legjislaturat e fundit ka shërbyer si deputete, duke qenë Kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, nënkryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, si dhe anëtare e Komisionit për Integrime.
Andin Hoti, Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare – ka lindur më 21 gusht 1986 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë, dhe ka ndjekur trajnime profesionale në teknologji informative dhe drejtësi tranzicionale, përfshirë programe ndërkombëtare për menaxhim publik. Që nga viti 2021, Hoti ushtron detyrën e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe kryeson delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë për këtë çështje. Ai ka udhëhequr procesin e institucionalizimit të kërkimit për personat e zhdukur, duke e trajtuar si çështje thelbësore kombëtare dhe humane. Më parë ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Komisioneve për Bujqësi dhe Financa Publike. Përpara angazhimit në Kuvend, ai ka punuar për nëntë vite si Udhëheqës i Divizionit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT) në Ministrinë e Integrimit Evropian dhe ka pasur eksperiencë në media të shkruara si dizajner grafik. Hoti është angazhuar gjatë gjithë karrierës në mbrojtjen e të drejtave të rinisë, zhvillimin e bujqësisë dhe forcimin e drejtësisë.
Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit – ka lindur më 12 qershor 1985 në Podujevë. Ajo ka diplomuar në Universitetin Metropolitan të Mançesterit dhe është në përfundim të studimeve master në Drejtësi Tranzicionale, të Drejtat e Njeriut dhe Ligj në Akademinë e Gjenevës. Bogujevci është artiste dhe aktiviste, e njohur për angazhimin në organizatën “Manchester Aid Kosovo,” duke realizuar projekte të rëndësishme në Podujevë, përfshirë krijimin e “Parkut të Paqes.” Ajo është një nga të mbijetuarat e masakrës së Podujevës gjatë luftës në Kosovë, ku humbi një pjesë të madhe të familjes. Saranda dhe fëmijët e axhës janë fëmijët e parë në botë që dëshmuan për krime lufte në gjykatë. Në vitin 2003, ajo u nderua me çmimin ndërkombëtar për Kurajo Morale “Anna Frank” në Britani. Në politikë, Bogujevci ka shërbyer si Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, dhe si deputete në legjislaturat VI dhe VII. Në legjislaturën e fundit, ajo ishte Nënkryetare e Kuvendit dhe Kryesuese e Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke avancuar të drejtat njerëzore dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.
Blerim Gashani, Ministër i Sportit dhe Rinisë – ka lindur më 25 dhjetor 1974 në Tërstenik, Drenas. Studimet themelore i ka kryer për Komunikim Masiv dhe Gazetari në Universitetin AAB, ndërsa ka ndjekur gjithashtu studime për Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Gashani ka punuar si mësimdhënës dhe më pas në UNMIK dhe EULEX, ku ka menaxhuar projekte në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. Ai ka shërbyer si Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke koordinuar menaxhimin e kufirit, anti-trafikimin dhe migracionin. Gashani ka botuar dy libra dhe qindra artikuj akademikë dhe publicistikë në Kosovë dhe rajon.
Armend Muja, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – ka lindur më 20 nëntor 1981 në Mitrovicë dhe është Kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë. Ai ka shërbyer si deputet në legjislaturën e kaluar, ku ka qenë Kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe anëtar i komisioneve për Ekonomi dhe Stabilizim-Asociim BE–Kosovë. Muja ka dhënë kontribut në edukim, duke ligjëruar ekonominë politike dhe ekonomiksin ndërkombëtar në UBT dhe Kolegjin Riinvest. Ai ka punuar gjithashtu në projekte të Programit për Reforma Ekonomike, Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Planin Strategjik Arsimor, në bashkëpunim me BE, GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Përkushtimi i tij politik fokusohet në zhvillim ekonomik, integrim rajonal, modernizim të arsimit dhe forcim të sundimit të ligjit.
Dimal Basha, Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në Ferizaj. Studimet e larta i ka kryer në John Jay College of Criminal Justice në New York, në drejtimin e E Drejta Penale Ndërkombëtare, ndërsa masterin në Marrëdhënie Ndërkombëtare me fokus në konflikt dhe siguri e ka përfunduar në The New School University, New York. Basha ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel dhe si analist në Gjykatën Federale të SHBA-së. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për tri mandate dhe Kryetar i Kuvendit në legjislaturën e nëntë, duke kontribuar në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe në avancimin e politikave zhvillimore.
Lulëzon Jagxhiu, Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit – ishte këshilltar i Kryeministrit për Teknologjinë e Informacionit dhe CTO i Republikës së Kosovës. Ai ka mbi dy dekada eksperiencë në telekomunikacion, zhvillim biznesi, siguri kibernetike dhe transformim digjital. Ka MBA në Financë dhe Lidership Strategjik nga Penn State University dhe Certifikatë në Studime për Sigurinë Kibernetike nga George C. Marshall European Center for Security Studies. Jagxhiu ka shërbyer si Menaxher i Përgjithshëm në Cacttus Business Solutions dhe udhëheq iniciativat kombëtare për digjitalizim dhe politikat e teknologjisë. /Telegrafi/