Mërgimtari nga Kosova i cili jeton në Gjermani, Rilind Krasniqi ka raportuar se është përballur me maltretim dhe bastisje gjatë një udhëtimi në Serbi.
Sipas njoftimit të tij, Krasniqi ka kaluar për rreth një orë nën kontrollin e autoriteteve serbe, të cilët kontrolluan pajisjet e tij personale dhe morën gjëra të ndryshme, përfshirë edhe 2,500 euro.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Krasniqi tha se bastisja lidhej me disa fotografi që ai kishte në telefon dhe në Facebook.
Fotografitë përfshinin imazhe të babait të tij, që ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe figura të njohura të luftës për liri në Kosovë, përfshirë Adem Jasharin, Vesel Arucin dhe Mujë Krasniqin.
“Ata më bastisën rreth një orë, më kontrolluan shumë dhe më morën gjëra personale, si dhe para në vlerë 2,500 euro,” shkroi Krasniqi.
Ai apelon që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.
Sipas Krasniqit, përvoja e tij tregon se qytetarët kosovarë, veçanërisht ata që kanë lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ose figura të njohura të luftës, mund të përballen me diskriminim ose kontrolle të ashpra në territorin serb.
Ky nuk është rast i izoluar. Qytetarë të Kosovës janë përballur edhe më herët me situata të ngjashme nga autoritetet kufitare serbe. Së fundmi, qytetari Mitehat Llozhani është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se Serbia po cenon normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për çka ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtroj presion ndaj saj./Telegrafi/