Gjykata e Apelit ka vendosur të kthejë në rigjykim rastin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë një mbledhjeje të Kuvendit në vitin 2016.
Rasti fillimisht ishte gjykuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila më 26 shkurt 2024 e kishte liruar Konjufcën nga akuzat për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Megjithatë, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.
Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi lirues për Konjufcën përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Në vendimin e datës 30 janar 2026, Apeli thekson se gjykata e parë nuk ka vlerësuar në mënyrë të plotë provat dhe dëshmitë e administruara, përfshirë dëshmitë e dëshmitarëve A.G., I.B., V.B., S.H. dhe S.P., si dhe provat materiale si raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, lokacioni i incidentit në Sallën C.nr. 301 të Kuvendit, lista e dëshmive dhe bombola e gazit lotsjellës e zbrazët e gjetur në dysheme.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar gjithashtu se Gjykata Themelore nuk ka arsyetuar bindshëm pse e ka liruar Konjufcën, duke theksuar se në këtë çështje janë administruar prova materiale dhe deklarata e të akuzuarit, ku ai pranon se e ka përdorur gazin lotsjellës, megjithëse nuk e konsideron atë armë sipas Ligjit për armët.
Në aktakuzën e ngritur më 2017, Prokuroria pretendonte se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 10 gusht 2016, Konjufca kishte hedhur gaz lotsjellës, duke penguar qëndrimin në sallë të pjesëmarrësve.
Gjatë seancës për fjalët përfundimtare në shkurt 2024, avokatja mbrojtëse e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, kishte kërkuar lirimin e klientit të saj, duke argumentuar se nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale dhe se kishte munguar ekspertiza për bombolën e gjetur në vendngjarje.
Sipas vendimit të Apelit, në rigjykim Gjykata Themelore duhet të eliminojë të gjitha shkeljet procedurale dhe, bazuar në provat e administruara, të nxjerrë konkluzione të drejta, ligjore dhe të argumentuara mirë.