Rreth orës 11:30, në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime, ku janë përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtar policor.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.
Sipas tij, gjatë përpjekjeve të zyrtarit policor për ta ndaluar motoçiklistin, ky i fundit e ka goditur zyrtarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e incidentit, zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.
“Rreth orës 11:30 ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën Garibaldi në Prishtinë. Në aksident janë të përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtarë policor. Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar, motoçiklisti ka goditur zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet relevante”, ka thënë Pllana. /Telegrafi/