Avatari shqiptar i njohur si Diella, një kryqtare publike kundër korrupsionit, është përshkruar si ministrja e parë qeveritare në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale, ka shkruar të martën (27.01.2026) gazeta njujorkeze “The New York Times”.
Avatari i njohur si Diella, i promovuar si ministrja e parë qeveritare në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, supozohej të ndihmonte uljen e korrupsionit endemik të Shqipërisë.
Ama ka një problem. Drejtuesit e agjencisë që e krijoi akuzohen për manipulim të tenderëve publikë.
E veshur me veshje tradicionale dhe me një buzëqeshje enigmatike, Diella është kthyer në imazhin e përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për frenimin e korrupsionit, në kohën kur Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Diella vjet ka folur në konferenca ndërkombëtare dhe ka rrokur vëmendjen e madhe mediatike si simbol i mënyrës se si inteligjenca artificiale po integrohet në shtyllat e shoqërisë në mbarë botën, përfshirë edhe qeverisjen.
Madje, ajo kishte deklaruar se ishte ndier “e lënduar” kur iu adresua Parlamentit të Shqipërisë vjeshtën e kaluar për shkak të kritikave se antikushtetuese janë përpjekjet e saj për identifikimin e mashtrimit dhe abuzimit në tenderët publikë, meqë “unë nuk jam një qenie njerëzore”.
“Nuk kam ambicie apo interesa personale” – do t’u thoshte në shtator Diella, e modeluar sipas një aktoreje vendase, deputetëve në një video, ku pas saj shfaqeshin flamujt e Shqipërisë dhe të Bashkimit Europian. “Unë kam vetëm të dhëna, njohuri dhe algoritme të përkushtuara për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë të paanshme, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë”.
Në praktikë, Diella ndihmon qytetarët të aplikojnë për shërbime qeveritare online, duke eliminuar një sistem të gjatë të zakonshëm ku duhej ryshfet për marrjen e dokumenteve shpejt dhe për të caktuar terminë. Së shpejti, ajo do të jetë në gjendje të mbledhë aplikimet për kontrata qeveritare për vlerësim se cili ofertues është më i kualifikuar, bazuar në të dhënat e paraqitura. Punën e saj mund ta kontrollojnë auditorët.
Ndërmarrja e masave për uljen e korrupsionit është kërkesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, çështje që përcakton trashëgiminë politike për kryeministrin Rama. Ai e emëroi avatarin Diella për promovimin e transparencës në tenderët publikë.
“Jemi një vend me farefis — nuk është e lehtë të kesh marrëdhënie plotësisht të ndershme dhe transparente në një vend me farefis” – ka thënë ai në një intervistë njëorëshe më herët këtë muaj. Me reformat që ka drejtuar që nga marrja e detyrës më 2013, zoti Rama ka deklaruar: “Tani kemi një pasqyrim krejt tjetër”.
Kryeministri Rama ka thënë se do të largohet nga detyra publike porsa Shqipëria të anëtarësohet zyrtarisht me Bashkimin Europian. Kjo mund të ndodhë para vitit 2030, nëse negociatat vazhdojnë me ritmin aktual, megjithëse ai ka theksuar se “ka tre gjëra që janë mbi aftësinë njerëzore për t’i planifikuar: Zoti, seksi dhe BE-ja”.
Raport i nëntorit i BE-së thotë se Shqipëria kishte “shfaqur disa përparime,” porse “korrupsioni mbetej i përhapur në sektorët më të ndjeshëm”. Raporti ka vlerësuar krijimin e njësitit të veçantë prokurorësh më 2019 për arritjen e “rezultateve pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë”.
Kjo përfshin edhe një hetim në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, organizatën qeveritare që krijoi vetë Diellën.
Prokurorët e një njësie të veçantë hetimore njoftuan muajin e kaluar se kishin vënë drejtoreshën e agjencisë dhe zëvendësin e saj në arrest shtëpiak, duke i lidhur me një organizatë kriminale të akuzuar për manipulim të aplikimeve për kontrata përmes intimidimit. Agjencia operon infrastrukturën digjitale qeveritare, duke pasur kontroll mbi një gamë të gjerë të sistemeve publike online, përfshirë Diellën.
Të dy zyrtarët nuk janë akuzuar ende zyrtarisht për ndonjë krim, dhe kryeministri Rama ka thënë se do të përmbahet nga gjykimi. “Duhet të presim dhe të shohim”, ka theksuar ai.
Njësia e veçantë hetimore ka zgjeruar theksueshëm fushatën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetime të profilit të lartë ndaj ish-presidentit Ilir Meta; Erion Veliaj, kryetar i Tiranës; dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është gjithashtu ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe e afërt me kryeministrin Rama.
Këto zhvillime kanë krijuar një lloj enigme për kryeministrin Rama, megjithëse ka shmangur skandalet. Ndërsa po shprehej krenar për punën e njësisë së prokurorisë për frenimin e korrupsionit, ka thënë njashtu se hetimet e saj viteve të fundit i kanë kontribuar rritjes së ndjeshme të rasteve të paraburgimit në Shqipëri, të cilat janë ndër më të lartat në Europë.
“Duhet të bëjmë gjithçka që ta mbështesim këtë institucion”, ka thënë Rama. “Njëherësh, duhet të jemi të vetëdijshëm që ky institucion duhet të garantojë jo vetëm se vepron në mënyrë të pavarur, por edhe profesionalisht”.
Zyrtarët e njësisë së veçantë hetimore refuzuan të komentojnë. Por statistikat e tyre treguan se rastet e korrupsionit publik nuk përbëjnë komponent të rëndësishëm të rasteve të paraburgimit. Raporti i njësisë për vitin 2024, të dhënat më të fundit të disponueshme, ka sugjeruar se rastet e korrupsionit përfshinin vetëm rreth 14 nga afro 2.800 personat që u paraburgosën në të njëjtin vit.
Rasti kundër zëvendëskryeministres Balluku për keqmenaxhimin e fondeve shtetërore në projekte të mëdha infrastrukturore, është kthyer në një problem të veçantë politik për kryeministrin Rama, i cili po përballet me kërkesa që asaj t’i hiqet imuniteti si deputete me qëllim që të procedohen akuzat kundër saj. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat për shkelje ligjore.
Kryeministri Rama nuk ka pranuar të komentonte kur është pyetur nëse mbështet heqjen e imunitetit të saj. Ai gjithashtu nuk ka dashur të diskutonte për opozitën politike, e cila ka fituar terren pas rritjes së akuzave për korrupsion që muajin e kaluar nxiti protestues të armatosur me bomba molotov të kërkonin dorëheqjen e qeverisë së tij.
Nuk është e mundur të matet sesa Diella e ka ulur korrupsionin në Shqipëri, pasi sistemi është dizajnuar që ta parandalojë e jo që ta bzulojë korrupsionin.
Andi Hoxhaj, ekspert ligjor dhe i Ballkanit Perëndimor në Kolegjin Mbretëror të Londrës, ka thënë se Diella është mënyra sesi Rama mund “t’i tregoje botës, dhe Bashkimit Europian, se ‘E kuptoj që jeni të shqetësuar për korrupsionin, dhe do të përpiqem ta adresoj’”.
Ekspertët e Këshillit Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme kanë vlerësuar në një analizë të dhjetorit, se ministrja e inteligjencës artificiale kishte përmirësuar “efikasitetin dhe paanshmërinë e vendimeve për prokurimet publike të qeveriasë”. Por, në përgjithësi, kanë nxjerrë përfundimin ata, të dhënat e Shqipërisë në fushën e përmbushjes së standardeve të BE-së për luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në aspektin e tenderët për infrastrukturë dhe turizëm, mbeten “problematike.”
Fakti që vetë zhvilluesit e Diellës janë akuzuar për korrupsion ka ngritur dilema nëse një ministre e krijuar nga inteligjenca artificiale mund të programohet për injorimin e dëshmive të caktuara të ryshfetit, ose vendosjen e të dhënave të pasakta për zbulimin e korrupsionit.
Dr. Hoxhaj ka thënë se “vetëm koha do ta tregojë”, por ka theksuar se qeveria nuk kishte tentuar të ndërhynte në hetimin e agjencisë që drejton Diellën.
“E kuptoj skepticizmin”, ka thënë ai. “Ka shumë tym. Por fakti që është zbuluar, dhe nuk është futur nën rrogoz, tregon se ata e pranojnë se korrupsioni është problem dhe se duhet parandaluar në të ardhmen”.
Kështu e sheh këtë edhe vetë kryeministri Rama.
“Vendi po përpiqet ta luftojë korrupsionin, me të gjitha mangësitë, me të gjitha problemet, me të gjitha dobësitë, me të gjitha dëmet”, ka thënë ai. “Kështu që kjo është e mirë”./Kallxo.