Ylli i Celje Milot Avdyli thotë se ka punë të pakryer ndaj Dritës pasi e kanë mposhtur dy herë kur ishte pjesë e Trepçës, ndërsa beson se skuadra sllovene do t’i eliminojë.
Drita të premten mësoi se në 1/16 e finales të Ligës së Konferencës do të përballet me Celje, skuadër ku edhe luan që prej verës ish kapiteni i Kosovës U21.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Celjes, Avdyli deklaroi se kishte dëshirë për t’u përballur me klubin kosovar, ndërsa tani synon t’i “hakmerret” sepse kishte pësuar dy humbje prej tyre kur ka qenë pjesë e Trepçës.
“Doja që të luaja ndaj Dritës në fazën e ligës dhe dëshira ime tash është bërë realitet. Ndeshja do të jetë e veçantë sepse do të përballem me një klub nga vendlindja. Kam disa punë të pakryera me Dritën, sepse luajta dy herë ndaj tyre kur isha lojtar i Trepçës dhe humba në dy rastet”.
“Jam i sigurt se këtë herë do të jetë ndryshe. I njoh shumicën e lojtarëve të Dritës, i kam ndjekur edhe ndeshjet e tyre në Evropë, kanë kualitet por janë padyshim skuadër që mund të mposhtet”.
Në fund, Avdyli shtoi se Celje do të kualifikohet në fazën tjetër sidomos me ndihmën e tifozëve.
“Një atmosferë e mirë na pret në Prishtinë, por do të adaptohemi. Është mirë që luajmë ndeshjen kthyese në stadiumin tonë, ku gjithnjë kemi pasur mbështetje të zhurshme dhe me ndihmëne tifozëve arritëm t’i mposhtim AEK Athens dhe Legian në fazën e ligës, si dhe mbetet të pamposhtur në përgjithësi. Besoj se kualifikohemi”.
Përballja mes Dritës dhe Celjes do të zhvillohet më 19 shkurt./Telegrafi/