Barcelona vijon të jetë shumë aktive në këtë afat kalimtar dimëror transferimesh, e cila po sjell vazhdimisht surpriza dhe lëvizje të rëndësishme.
Një prej tyre pritet të konkretizohet shumë shpejt me largimin e Marc-Andre ter Stegen nga klubi katalanas.
Në “Camp Nou” situata është e qartë, sidomos për trajnerin Hansi Flick, i cili mbrëmjen e kaluar në Kupën e Mbretit i besoi portën Joan Garcias si titullar.
Portieri i ri u tregua vendimtar me një pritje ndaj Manex Lozano (i kritikuar për egoizëm në atë aksion), duke justifikuar plotësisht zgjedhjen e trajnerit.
Në të njëjtën kohë, kjo lëvizje i vendosi praktikisht etiketën e transferueshëm Marc-Andre ter Stegen, i cili duket se ka humbur shansin e fundit për të rimarrë vendin e titullarit.
Në orët e fundit procesi është përshpejtuar, pasi portieri gjerman me synimin e qartë për të qenë pjesë e Kupës së Botës ka dhënë dritën jeshile për largimin e tij, i cili pritet të zyrtarizohet shumë shpejt.
Girona në pritje
Sipas informacioneve të zbuluara nga Cadena SER, është arritur marrëveshja që portieri të largohet nga Barcelona dhe të transferohet te Girona.
Klubi katalanas do të marrë përsipër rreth 1 milion euro nga paga e tij, ndërsa 90% e mbetur do të vazhdojë të paguhet nga FC Barcelona, e cila ka pranuar largimin e kapitenit për t’i mundësuar minuta aktivizimi.
Mbeten për t’u zgjidhur vetëm disa detaje finale për mbylljen e marrëveshjes, pas së cilës Barça do të mbetet pa shërbimet e portierit gjerman.
Për pjesën e mbetur të sezonit, Wojciech Szczesny do të jetë zëvendësi i Joan Garcias, ndërsa në verë pritet largimi i portierit polak dhe më pas do të vendoset përfundimisht se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Ter Stegen. /Telegrafi/