Ish-kryeministri dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim të përbashkët brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Në një komunikim, Hoti theksoi se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të Kryetarit, Kuvendi thirret për t’u njoftuar dhe më pas zgjedh kryetarin e ri, siç ka ndodhur edhe në vitin 2021.
Ai paralajmëroi se çdo devijim nga kjo procedurë përbën tentativë për të relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit.
Hoti theksoi se pas humbjes së thellë zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe një riorganizim gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, në mënyrë transparente dhe statutar.
Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse lidershipi nuk merr përgjegjësinë e duhur, do të japë dorëheqjen nga organet drejtuese të partisë, duke e quajtur këtë qëndrim një akt politik parimor dhe jo emocional.
Sipas Hotit, LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, dhe ky potencial duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit përmes reformimit të thellë, gjithëpërfshirës dhe transparent.
Ai bëri thirrje që të gjithë anëtarët e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së të kontribuojnë në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe drejtimin e duhur të partisë./Telegrafi/