Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë të premten në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, në nderim të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Siç bën të ditur Qeveria, në këtë ceremoni, Kurti ka shprehur kënaqësinë që ndodhet në Tiranë në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, njofton Dukagjini.
Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të gjatë të popullit të Kosovës, me shumë mundime e sakrifica për të pasur ushtrinë e vet, e cila mbron integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror.
Kurti ka theksuar se Kosova po investon në ushtri, duke shtuar kapacitetet dhe pajisjet e FSK-së, me synimin që vendi të anëtarësohet sa më parë në NATO.
“Duke investuar në ushtrinë e Kosovës, duke shtuar kapacitetet dhe pajisjet për FSK-në, ne dëshirojmë që sa më parë të anëtarësohemi në NATO. Aleanca Veriatlantike në shekullin XXI do të jetë jo më pak e rëndësishme sesa në shekullin XX, dhe ne duam që anëtarësimi i Kosovës në NATO të mos jetë vetëm për përfitime, por gjithashtu edhe për kontribut”, ka thënë Kurti.
Ai ka falënderuar Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe vendet e tjera mike e aleate për bashkëpunimin ushtarak, trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së, si dhe për bashkëpunimin në blerjen e armatimit dhe municionit dhe pjesëmarrjen në misione të përbashkëta.
Në fjalën e tij, kryeministri ka përkujtuar edhe dëshmorët, invalidët dhe veteranët e luftës, duke thënë se sakrifica e tyre nuk duhet harruar.
“Ne nuk i harrojmë asnjëherë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Me këtë rast, jemi mirënjohës përgjithmonë për dëshmorët e kombit, për invalidët dhe veteranët e luftës, për ata të cilët nuk kursyen as jetën që ne të jetojmë të lirë dhe ta shpallim Kosovën të pavarur”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka vlerësuar gjithashtu ndihmën e Shqipërisë në çlirimin e Kosovës dhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake.
“Republika e Shqipërisë me oficerët dhe ushtarët e saj, me logjistikën dhe armatimet, na ka ndihmuar që të çlirohemi, na ka mësuar se si të avancojmë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen në të gjitha fushat, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri.
Në fund, Kurti ka uruar Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe 28 Nëntorin.

