Një incident i rëndë ka tronditur futbollin bolivian, ku protagonisti i një akti të dhunshëm ishte vetë gjyqtari i ndeshjes, i cili goditi me grusht në fytyrë portierin kundërshtar pas përfundimit të finales së Kupës Pacena.
Gjyqtari Jordy Aleman humbi kontrollin pas përfundimit të ndeshjes mes Real Potosit dhe Always Readyt, duke sulmuar portierin Cristian Martinez në një moment që u regjistrua nga kamerat televizive.
Përballja e kthimit përfundoi me rezultat 0-0, por Always Ready arriti të shpallej kampion falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë, duke siguruar kështu trofeun.
Megjithatë, pas vërshëllimës përfundimtare, tensionet shpërthyen në fushë. Futbollistët e Real Potosit iu afruan gjyqtarit për të protestuar ndaj vendimeve të tij gjatë finales, ndërsa situata u përshkallëzua kur portieri Martinez u përball drejtpërdrejt me Alemanin.
Pas një shkëmbimi të ashpër fjalësh, gjyqtari reagoi në mënyrë të papranueshme, duke e goditur portierin me grusht në fytyrë.
Veprimi i tij shkaktoi reagim të menjëhershëm nga futbollistët e Real Potosit, të cilët iu vërsulën gjyqtarit. Situata doli jashtë kontrollit, duke detyruar policinë të ndërhynte për të qetësuar përplasjet dhe për ta shoqëruar Alemanin dhe ekipin e tij jashtë fushës.
Sipas raportimeve të mediave vendase, pas incidentit gjyqtari ndëshkoi me kartonë të kuq katër futbollistë dhe tre pjesëtarë të stafit të Real Potosit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Bolivi, ndërsa Aleman rrezikon një pezullim të gjatë nga aktivitetet futbollistike.
Kodi Disiplinor i Federatës Boliviane të Futbollit parasheh ndalim të ushtrimit të aktiviteteve të lidhura me futbollin nga një deri në tre vjet për raste të tilla agresioni./Telegrafi/

