Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar sërish ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Ekonomi, duke thënë se anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) përzgjidhen nga vetë pushteti.
Sipas Sadikut, anëtarët e bordit intervistohen dhe përzgjidhen nga Qeveria, ndërsa më pas votohen në Kuvend nga shumica parlamentare.
Ai ka thënë se në rastin e fundit janë përzgjedhur edhe kandidatë që kanë marrë më pak pikë në intervistë.
“Kur kërkova sqarim në Kuvend, përgjigjja e ministres ishte: ‘Kështu i kemi përzgjedhë ne. Kur t’i fitoni ju zgjedhjet, i përzgjedhni vetë’. Deklaratë publike kjo”, ka shkruar Sadiku në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka kritikuar deputetët e VV-së për qëndrimin ndaj Bordit të ZRrE-së, duke thënë se fillimisht i përzgjedhin dhe i votojnë anëtarët e tij, ndërsa më pas i kritikojnë dhe kërkojnë llogari prej tyre.
“Me i përzgjedhë vetë, me i votu vetë e pastaj me u sjellë sikur je në opozitë, është hipokrizi politike. Logjikë kjo s’ka. As edhe pak”, ka përfunduar Sadiku.

