Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga autoritetet amerikane nën dyshimin për përfshirje në shitjen e të dhënave të vjedhura të kartelave bankare dhe informacioneve personale përmes platformave online, është arrestuar në korrik të këtij viti dhe më pas është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ka njoftuar se arrestimi është realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet amerikane, raporton IndeksOnline.
Pas përfundimit të procedurave përkatëse ligjore, i dyshuari është ekstraduar në SHBA, ku do të përballet me akuzat penale që rëndojnë ndaj tij.
Sipas Prokurorisë Speciale, ky rast dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e krimit kibernetik dhe kriminalitetit ndërkufitar.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, me synim parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe garantimin e sundimit të ligjit.

