KORREKT / SOT24 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Koreja e Jugut thotë se aeroplanë rusë iu afruan zonës së saj të mbrojtjes ajrore

Koreja e Jugut thotë se aeroplanë rusë iu afruan zonës së saj të mbrojtjes ajrore

Autoritetet e Koresë së Jugut njoftuan të martën se disa aeroplanë ushtarakë rusë kishin hyrë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore, duke korrigjuar një njoftim të mëparshëm që fliste për një ndërhyrje të mundshme nga një aeroplan i Koresë së Veriut.

Më vonë, Seuli thirri atasheun ushtarak të ambasadës ruse për të paraqitur një protestë, duke kërkuar masa për të “parandaluar përsëritjen” e ngjarjeve të tilla dhe duke i cilësuar incidentet e përsëritura si “të papranueshme”.

Një shkelje e hapësirës ajrore të Koresë së Jugut nga një aeroplan ushtarak i Koresë së Veriut do të përbënte një përshkallëzim të konsiderueshëm të tensioneve midis dy Koreve, të cilat teknikisht mbeten ende në gjendje lufte.

Njoftimi i pasaktë erdhi në një kohë tensionesh të shtuara përgjatë kufirit të fortifikuar rëndë, pas një shpërthimi mine që plagosi tre ushtarë të Koresë së Jugut në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ).

Ndërkohë, Moska është bërë një aleat kyç i Phenianit që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022; të dyja vendet kanë nënshkruar një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë, ndërsa Koreja e Veriut ka dërguar trupa për të luftuar përkrah forcave ruse.

Incidenti i së martës ndodhi një javë pasi Seuli ngriti në ajër aeroplanë luftarakë dhe kreu manovra taktike, si përgjigje ndaj hyrjes së disa aeroplanëve ushtarakë rusë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë së Jugut (KADIZ) më 17 nëntor.

Të martën në orën 08:00, në ishullin Ulleungdo të Koresë së Jugut (në provincën Gyeongsang të Veriut) u dha një alarm urgjence, ku thuhej se “një aeroplan i dyshuar i Koresë së Veriut është larguar nga zona e rrezikut”.

“Alarmi për sulm ajror në qarkun Ulleung u hoq në orën 07:58. Ju lutemi, vazhdoni aktivitetet tuaja normale”, shtohej në njoftim.

Rreth 40 minuta më vonë, autoritetet provinciale dhanë një sqarim korrigjues.

“Ata që shkelën hapësirën ajrore ishin aeroplanë rusë. Ju njoftojmë se bëhet fjalë për aeroplanë rusë”, deklaruan ato, pa shpjeguar shkakun e gabimit.

Disa media të mëdha të Koresë së Jugut publikuan lajme urgjente bazuar në njoftimin fillestar, për t’i korrigjuar më pas raportimet e tyre.

Ushtria e Koresë së Jugut sqaroi më vonë se aeroplanët rusë nuk e kishin shkelur hapësirën ajrore të vendit – ndonëse kishin “fluturuar deri në kufirin e hapësirës sonë ajrore” – dhe se në incident nuk ishte përfshirë asnjë aeroplan i Koresë së Veriut.

Ministria e Mbrojtjes e vendit njoftoi se alarmet e dhëna në mëngjes në Ulleungdo – njëri prej të cilëve u bënte thirrje banorëve të strehoheshin nën tokë – ishin lëshuar si masë paraprake.

“Disa raportime në media se ‘një objekt fluturues, që besohet të jetë aeroplan i Koresë së Veriut, ka shkelur hapësirën ajrore të Koresë së Jugut’, nuk janë të vërteta”, thuhej në një deklaratë të shkurtër.

Veprime të papranueshme

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Seul, aeroplanët rusë hynë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë së Jugut (KADIZ) mbi Detin Lindor – i njohur gjithashtu si Deti i Japonisë – dhe “u larguan ndërsa forcat tona po ndërmerrnin masa ushtarake”, përfshirë dërgimin e aeroplanëve luftarakë.

Më vonë, ministria bëri të ditur se aeroplanët rusë hynë në KADIZ-in e Koresë së Jugut “pa njoftim paraprak dhe fluturuan shumë pranë hapësirës ajrore afër Ulleungdo-s”.

Kim Hak-jo, drejtor i përgjithshëm për politikën ndërkombëtare në ministri, i paraqiti një protestë të ashpër kolonelit Nikolai Marchenko, duke i kërkuar Moskës të parandalojë përsëritjen e një ngjarjeje të tillë.

“Ne e bëmë të qartë se hyrja e përsëritur dhe e paautorizuar e aeroplanëve ushtarakë rusë në Zonën tonë të Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, si dhe fluturimi i tyre sot në afërsi të hapësirës ajrore të Koresë së Jugut, janë veprime të papranueshme”, thuhej në deklaratë.

Ajo shtoi se veprime të tilla “mund të nxisin në mënyrë të panevojshme tensionet në Gadishullin Korean dhe në rajon”.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se aeroplanët e saj “kishin kryer një fluturim të planifikuar mbi ujërat neutrale të Detit të Japonisë”.

Ajo shtoi, pa dhënë detaje të mëtejshme, se në disa faza të fluturimit 10-orësh, “bombarduesit strategjikë u shoqëruan nga aeroplanë luftarakë të shteteve të huaja”.

Një zonë identifikimi për mbrojtjen ajrore nuk përbën hapësirë ajrore sovrane, por një zonë tampon ku shtetet identifikojnë aeroplanët që afrohen, për qëllime sigurie.

Në përgjithësi, aeroplanët ushtarakë pritet të njoftojnë vendin përkatës përpara se të hyjnë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, edhe pse një njoftim i tillë nuk është i detyrueshëm me ligj.

Në qershor, më shumë se 10 aeroplanë ushtarakë kinezë dhe rusë hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut, gjë që e shtyu Seulin të dërgonte aeroplanë luftarakë si kundërpërgjigje. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.