Honda ka dhënë një vështrim të parë mbi disa modele të reja hibride që pritet të lansohen nga viti 2027, ndërsa ka zbuluar edhe detaje për platformën e re modulare dhe sistemin e avancuar të motorëve hibridë.
Në videon zyrtare për modelin Avancier, në sekondat e fundit shfaqen edhe disa automjete të tjera të mbuluara, të vendosura pranë SUV-it. Kompania nuk ka zbuluar se për cilat modele bëhet fjalë, por pamjet sugjerojnë se Avancier do të jetë vetëm i pari në një seri modelesh të reja hibride që pritet të vijnë nga viti 2027.
Në një njoftim të detajuar, Honda shpjegoi teknologjinë që do të përdoret në këto automjete. Sistemi i ri hibrid do ta zëvendësojë teknologjinë aktuale e:HEV, ndërsa platforma modulare do të përdoret në modelet e segmenteve C dhe D, përfshirë SUV-të dhe sedanët, transmeton Telegrafi.
Kompania ka prezantuar gjithashtu një sistem të ri elektrik me tërheqje në të katër rrotat, i cili nuk do të ketë më boshtin mekanik të transmisionit. Honda premton përmirësim prej 10 për qind të efikasitetit dhe ulje prej 30 për qind të kostove të elektrifikimit hibrid.
Megjithatë, këto përmirësime krahasohen me modelet e vitit 2018 për efikasitetin dhe me ato të vitit 2023 për kostot. Pra, shifrat nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht një përmirësim prej 10 për qind krahasuar me modelet që Honda shet aktualisht.
Motori i ri 2.0-litërsh
Motori i ri 2.0-litërsh është projektuar për të ruajtur raportin stoikiometrik të ajrit me karburantin në të gjitha kushtet e funksionimit. Zakonisht, motorët me benzinë injektojnë më shumë karburant gjatë ngarkesave të larta për të parandaluar detonacionin, gjë që ndikon negativisht në efikasitet.
Honda ka ndryshuar sistemin e thithjes së ajrit dhe formën e pistonëve, në mënyrë që përzierja të digjet më shpejt dhe të zvogëlohet rreziku i detonacionit. Gjithashtu, është shtuar një sistem i ri ftohjeje me dy pjesë, i cili ndihmon në kontrollimin e temperaturës rreth kanalit të shkarkimit.
Sipas kompanisë, këto ndryshime rrisin me 30 për qind kufirin e çift-rrotullimit pa pasuruar përzierjen me karburant, ulin me 30 për qind konsumin në zonën e çift-rrotullimit të lartë dhe zgjerojnë me po aq zonën e funksionimit me efikasitet të lartë.
Meqë motori është projektuar vetëm për përdorim hibrid, Honda nuk ka pasur nevojë të bëjë kompromis për ta përshtatur edhe për automjetet që funksionojnë vetëm me benzinë. Kjo ka mundësuar lehtësimin e bllokut të cilindrave me rreth 900 gramë, ndërsa boshti motorik i ridizajnuar është rreth 500 gramë më i lehtë.
Motori është përshtatur gjithashtu për të funksionuar me lloje të ndryshme benzine që shiten në tregje të ndryshme të botës.
Njësia e re e lëvizjes dhe platforma modulare
Njësia me dy motorë elektrikë ruan konfigurimin me boshte paralele të përdorur në modelet Accord dhe CR-V të vitit 2023, por shumica e komponentëve të brendshëm janë ridizajnuar.
Motori tërheqës përdor magnetë pa elemente të rënda të tokave të rralla dhe fletë më të holla çeliku elektrik, për të reduktuar humbjet e energjisë. Edhe qarqet magnetike të të dy motorëve janë përmirësuar, duke përdorur më pak magnetë dhe duke synuar uljen e kostove dhe varësisë nga furnizimet me materiale të caktuara.
Njësia e kontrollit të fuqisë është shkurtuar me 51 milimetra dhe është bërë 3 për qind më e lehtë, pavarësisht se tani përfshin edhe inverterin për motorin e ri të pasmë.
Honda ka bashkuar gjithashtu dy qarqe të veçanta të ftohjes në një të vetëm. Një valvul e posaçme mund të ndërpresë përkohësisht shkëmbimin e nxehtësisë, duke ndihmuar që njësia e lëvizjes të ngrohet më shpejt dhe të reduktojë fërkimin gjatë funksionimit në temperatura të ulëta.
Platforma e re për automjetet e mesme është ndërtuar nga pesë module, të cilat bashkohen përmes tri dimensioneve fikse. Ajo mund të përdoret për SUV dhe sedanë të segmenteve C dhe D, me lartësi të ndryshme nga toka dhe pozicione të ndryshme të drejtimit.
Një nga përfitimet kryesore është standardizimi i pjesëve. Përputhshmëria e komponentëve në hapësirën e motorit do të rritet në rreth 90 për qind, krahasuar me afërsisht 60 për qind në platformën e mëparshme hibride. Kjo do të mundësojë edhe uljen e peshës me rreth 10 kilogramë.
Bateria do të vendoset nën ulësen e pasme në të gjitha modelet, në vend të pozicionit të mëparshëm në hapësirën e gomës rezervë te SUV-të. Honda ka bashkuar dy dizajne të baterive në një të vetëm dhe ka përgjysmuar numrin e pjesëve.
Bateria do të fiksohet në shinat e ulëseve dhe do të shërbejë edhe si element strukturor. Vendosja e saj brenda distancës mes boshteve pritet të ulë me 2 për qind momentin e inercisë së rrotullimit rreth boshtit vertikal të automjetit.
Ky ndryshim do të krijojë gjithashtu hapësirë për vendosjen e gomës rezervë nën dysheme, një mundësi që deri më tani ka qenë e kufizuar te disa modele hibride.
Në strukturën e karrocerisë, përdorimi i çelikut me rezistencë të lartë prej 980 MPa do të rritet nga 11.2 në 37.2 për qind. Përzgjedhja e materialeve do të përshtatet sipas disponueshmërisë së tyre në tregjet e ndryshme.
Honda thotë se nuk synon të krijojë një karroceri tepër të ngurtë, pasi një strukturë e tillë mund të ndikojë negativisht në ngarkesën që ushtrohet mbi goma. Për këtë arsye, ngurtësia do të rritet në disa pjesë, ndërsa në të tjera do të lejohet një nivel i kontrolluar fleksibiliteti, me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë në kthesa.
Sistem i ri elektrik për tërheqjen në të katër rrotat
Ndryshimi më i madh lidhet me sistemin e tërheqjes në të katër rrotat. Konfigurimi mekanik me bosht transmisioni do të zëvendësohet nga sistemi elektrik DualPower eAWD, i cili përdor një motor të veçantë në pjesën e pasme.
Boshtet e përparme dhe të pasme do të kontrollohen në mënyrë të pavarur, duke mundësuar shpërndarjen më të shpejtë të çift-rrotullimit gjatë përshpejtimit, frenimit dhe kthesave. Sistemi do të mundësojë gjithashtu rikuperimin e energjisë përmes frenimit edhe në boshtin e pasmë.
Kontrolli i tërheqjes do të funksionojë me dy qarqe të ndara, një për secilin bosht. Kjo do të thotë se rrëshqitja e njërës palë rrota nuk do të shkaktojë uljen e fuqisë në tjetrën, nëse ajo ende ka kapje me rrugën.
Përmirësime në pozicionin e drejtimit dhe komoditetin
Honda ka ridizajnuar edhe pozicionin e drejtimit, duke u bazuar në përmasat dhe lëvizjet natyrore të trupit të njeriut.
Distanca mes mbështetëses së këmbës dhe pedalit të gazit do të jetë 140 milimetra, ndërsa këndi i mbështetëses do të përshtatet më afër pedalit. Do të ketë dy konfigurime të ndryshme, një për SUV-të dhe një për sedanët.
Timoni do të jetë një gradë më vertikal dhe do të ketë 10 milimetra më shumë hapësirë për rregullim teleskopik, me qëllim zvogëlimin e përkuljes së bërrylave.
Distanca mes pedalit të frenave dhe atij të gazit do të zvogëlohet nga 45 në 40 milimetra, ndërsa të dy pedalët do të jenë më të mëdhenj. Pedali i frenave do të zgjatet me 10 milimetra, kurse ai i gazit me 13 milimetra, për të ofruar më shumë hapësirë kontakti si për shoferët e gjatë, ashtu edhe për ata më të shkurtër.
Përmirësime do të ketë edhe në ulëse dhe në sistemin e pezullimit. Honda ka përshtatur pezullimin në mënyrë që lëvizja e karrocerisë në kthesa të përputhet më mirë me lëvizjen e trupit të personave në ulëset e përparme.
Gjithashtu, ulëset Body Stabilizing Seat, të prezantuara për herë të parë në modelin Fit të vitit 2020, do të kenë mbështetje shtesë në pjesën e shpatullave. Synimi është që pasagjerët të mos kenë nevojë të tendosin vazhdimisht muskujt për t’u përshtatur me lëvizjet e automjetit, duke reduktuar lodhjen gjatë udhëtimeve të gjata.
Honda ka njoftuar se synon të lansojë gjithsej 15 modele hibride të gjeneratës së ardhshme në tregjet globale deri në përfundim të vitit të saj financiar, më 31 mars 2030. /Telegrafi/

