Kosova mund të ketë ambasadore të re në Kroaci, pasi ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar Hasnije Ilazin për këtë pozitë.
Propozimi i është përcjellë Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit, të cilit i është kërkuar të shqyrtojë kandidaturën e saj.
Hasnije Ilazi vjen me përvojë në fushën e arsimit të lartë.
Ajo ka udhëhequr Këshillin Shtetëror të Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në periudhën 2021-2026, ndërsa aktualisht mban titullin Presidente Nderi të këtij institucioni.
Në dokumentin e dërguar Kuvendit, Konjufca ka vlerësuar angazhimin e saj në avancimin e cilësisë dhe përafrimin e standardeve me ato evropiane.
Me këtë propozim, Martin Berishaj nuk do të jetë kandidati për një mandat tjetër si ambasador i Kosovës në Kroaci.
Emri i tij është përmendur në raportime mediatike lidhur me dyshime për transaksione financiare në sektorin e energjisë elektrike./Klankosova.tv

