Gjykata Administrative me aktvendimin e datës 27 tetor 2026, ka hedhur poshtë si të palejuar padinë e paditësit Enver Haxhijaj kundët Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP).
Paditësi kishte kërkuar të anulohen: vendimi për caktimin e Lule Isufit si U.D drejtore e përgjithshme në IKAP dhe ai me të cilin iu refuzua ankesa nga KPMSCHK. Ai kërkoi të mbetet në fuqi vendimi i 17 qershorit 2021 për caktimin e tij në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP, si dhe kompensimin e dëmit material prej 11 mijë e 843 euro e 12 centë së bashku me kamatën e përllogaritur dhe shpenzimet e procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Administrative ka vlerësuar se padia është e palejuar për shkak të mungesës së interesit juridik dhe legjitimitetit të paditësit.
Sipas aktvendimit, vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhet ekskluzivisht me caktimin e Lule Isufit në pozitën e Zëvendësueses së Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP-it dhe nuk ka cenuar asnjë të drejtë apo interes të ligjshëm të paditësit që buron nga marrëdhënia e tij e punës si Udhëheqës i Ekipit të Trajnimeve.
Gjykata ka konstatuar se paditësi nuk ka dëshmuar se me këtë vendim i është cenuar ndonjë e drejtë apo interes i drejtpërdrejtë.
Aty thuhet se ai ka vazhduar të mbajë pozitën e tij si Udhëheqës i Ekipit të Trajnimeve dhe nuk është prekur statusi i tij i punës.
Sipas aktvendimit, në kuptim të nenit 24, paragrafit 3 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, nëpunësi civil ka të drejtë të paraqesë ankesë vetëm për veprimet që i cenojnë të drejtat apo interesat e tij të ligjshme. Po ashtu, sipas nenit 14 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, që një person të jetë palë në procedurë, duhet të ketë interes direkt juridik.
Meqenëse vendimi i ankimuar nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike negative mbi statusin, të drejtat apo pozitën e punës së paditësit, ai nuk legjitimohet si palë për ta kontestuar këtë akt.
Rrjedhimisht, mbështetur në nenin 34, paragrafin 1, nënparagrafin 1.3 të Ligjit për Konfliktet Administrative, gjykatësi i rastit Jeton Krasniqi e ka hedhur poshtë padinë si të palejuar.
Sipas vendimit, secila palë i bartë shpenzimet e veta të procedurës.
Gjykata Administrative kishte mbajtur seancën e shqyrtimit kryesor më 15 tetor 2026.
Ndryshe, me padinë e paraqitur më 25 gusht 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, Enver Haxhijaj ka paditur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), duke kërkuar anulimin e vendimit të datës 24 korrik 2023. Kishte kërkuar që të mbetet në fuqi vendimi i 17 qershorit 2021 për caktimin e tij në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP).
Paditësi pretendon se më 5 maj 2023 është iniciuar transferimi i Lule Isufit nga Ministria e Financave në pozitën e Udhëheqëses së Divizionit të Organizimit të Trajnimeve në IKAP, pa konsultuar përfaqësuesit e IKAP dhe pa funksionalizuar ende pozitën sipas rregullores së miratuar më 30 mars 2023. Më pas është caktuar Isufi si Zëvendësuese e Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP-it.
Sipas paditësit, ky transferim është bërë në kundërshtim me Rregulloren për Transferimin e Nëpunësve Civilë, pasi i është ulur paga, nuk është iniciuar nga udhëheqja e IKAP-it, pozita nuk ishte e lirë dhe e funksionalizuar, dhe ka pasur ndërhyrje politike e diskriminim. Ai ankuar në KPMSHCK, por ankesa është hudhur si e palejuar me vendim, pa arsyetim të mjaftueshëm.
Andaj, paditësi kërkon që Gjykata të aprovojë kërkesëpadinë e tij, të anulojë vendimin për caktimin e Isufit në pozitën në fjalë dhe vendimin me të cilin iu refuzua ankesa, si dhe të detyrojë të paditurën që t’i kompensojë shpenzimet e procedurës.
Paditësi Haxhijaj më 27 tetor 2025, ka paraqitur parashtresë për precizim të padisë, sipas së cilës krahas KPMSHCK-së, i paditur është edhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP).
Po ashtu, paditësi kërkon kompensimin e dëmit për dallimin në pagë ndërmjet pozitës së tij dhe pozitës së UD-së, në shumën prej 10.608,60 euro, me kamatë ligjore 8% në vit, nga 8 maji 2023 deri më 1 gusht 2025, kur është emëruar Hysen Musliukaj në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP-it.
Andaj, paditësi i propozoi Gjykatës që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë e tij, të anulojë vendimet e 24 korrikut 2023 dhe 8 majit 2023, si dhe të detyrojë të paditurin Institutin e Kosovës për Administratë Publike që t’i paguajë kompensimin e dëmit në shumën e lartpërmendur.
Në anën tjetër, në përgjigje në padi, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, vlerëson se ankuesi nuk ka legjitimitet aktiv për të paraqitur ankesë, pasi me akt-emërimin e 30 marsit 2012 është emëruar në pozitën e Udhëheqësit të Ekipit të Trajnimeve dhe nuk ka të drejtë apo interes të ligjshëm që të cenojë nga vendimi i kontestuar.
Andaj, KPMSHCK i propozoi Gjykatës që të refuzojë padinë e paditësit si të pabazuar në ligj dhe të lë në fuqi vendimin e saj, si të bazuar në ligj.
Pala e interesit, Lule Isufi, ka paraqitur po ashtu përgjigje në padi, duke kontestuar në tërësi pretendimet e paditësit. Kërkoi që Gjykata të refuzojë kërkesëpadinë si të pathemeltë.
Ajo thekson se vendimi i KPMSHCK-së është i qartë dhe i mirëarsyetuar, pasi ankuesi nuk kishte interes juridik për të paraqitur ankesë. Po ashtu, thotë se vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme i 8 majit 2023 është shfuqizuar më 7 nëntor 2023, prandaj kërkesa për anulimin e tij dhe kompensimin e dëmit është e paarsyeshme.
Pala e interesit vlerëson se caktimi i saj në pozitën e Zëvendësueses së Drejtorit të Përgjithshëm të IKAP-it është bërë në bazë të kompetencave ligjore të Ministrit dhe se ajo ka ushtruar detyrën me integritet, duke respektuar urdhrat hierarkike.
Andaj, pala e interesit i ka propozuar Gjykatës që të hudhë poshtë në tërësi kërkesëpadinë e paditësit Enver Haxhijaj, të vërtetojë se aktet e kontestuara nuk prekin të drejtat ose interesin e tij të drejtpërdrejtë, dhe që secila palë të bartë shpenzimet e veta procedurale.

