Klubi i futbollit Real Madrid njoftoi sot se reprezentuesi brazilian Endrick ka pësuar një dëmtim të muskulit aduktor në këmbën e majtë.
“Pas ekzaminimeve të kryera sot nga stafi mjekësor i Real Madridit, lojtarit tonë Endrick i është diagnostikuar një dëmtim i muskulit aduktor në këmbën e majtë. Rikuperimi i tij do të monitorohet”, thuhet në komunikatën e klubit madrilen.
Endrick u lëndua para dy ditësh në ndeshjen e xhiros së 13-të të La Ligës spanjolle kundër Celtas.
Në komunikatën e Real Madridit nuk bëhet e ditur se sa kohë do të mungojë futbollisti brazilian, por mediat spanjolle raportojnë se ai mund të qëndrojë jashtë fushave për dy deri në tri javë.
Këtë sezon, ai ka zhvilluar tetë ndeshje me fanellën e klubit madrilen, duke regjistruar nga një gol dhe një asistim.

