Të paktën 24 persona kanë humbur jetën nga zjarri që përfshiu një fabrikë ëmbëlsirash në Indonezi gjatë fundjavës, ndërsa rreth 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave të fabrikës, pavarësisht rrezikut nga strukturat e dëmtuara dhe të paqëndrueshme të ndërtesës.
Zjarri shpërtheu të shtunën në mbrëmje në një nga ndërtesat e fabrikës së ëmbëlsirave PT Fonusa Agung Mulia, në Cikande, në provincën Banten, rreth një orë larg kryeqytetit Xhakarta, raporton Reuters.
Këshilltari presidencial për çështjet e punës, Said Iqbal, konfirmoi të hënën se 24 persona kanë vdekur. Ai tha se po vlerësohet zbatimi i protokolleve të sigurisë në fabrikë dhe se do ta thërrasë në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë.
Sipas raporteve paraprake, shkak i mundshëm i zjarrit dyshohet të jetë një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner.
Fabrika është në pronësi të kompanisë United Family Food, e cila punëson rreth 5 mijë persona. Drejtori ekzekutiv i saj, Steven Erwin Wijaya, ka deklaruar se rreth 300 persona ndodheshin në kompleksin e fabrikës gjatë ndërrimit të punës të së shtunës.
Kreu i Agjencisë së Kërkim-Shpëtimit në Banten, Al Amrad, bëri të ditur se 29 persona janë konfirmuar të sigurt, pesë prej të cilëve janë hospitalizuar.
Ai shtoi se ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë deri më tani 24 qese me mbetje mortore, por autoritetet në vendngjarje nuk kanë mundur ta konfirmojnë menjëherë numrin e viktimave.
Për shkak të intensitetit të zjarrit, viktimat nuk mund të identifikohen përmes kontrollit vizual. Zyrtarja policore Wahyu Hidayati tha se po merren mostra të ADN-së nga familjarët për identifikimin e tyre, proces që mund të zgjasë disa javë.
Ndërkohë, kërkimet po vazhdojnë, por vatrat e mbetura të zjarrit dhe paqëndrueshmëria e strukturës së ndërtesës po paraqesin rrezik për ekipet e shpëtimit.

