Erika White, një surfiste nga Kornuolli i Anglisë, ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të financuar pasionin e saj për surfingun. Ajo pretendon se sot fiton deri në 50 mijë euro në muaj përmes krijimit të përmbajtjeve në platformën OnlyFans, pas një të kaluare në të cilën mezi arrinte të siguronte të ardhurat e nevojshme për jetesë.
Para se të bëhej e njohur në rrjetet sociale dhe në platformën për përmbajtje për të rritur, White kishte punuar edhe duke pastruar tualete.
Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar një karrierë në surfing, të ardhurat nga ky sport nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet e saj.
Ajo kishte arritur të siguronte disa marrëveshje sponsorizimi, pajisje sportive falas dhe bashkëpunime me marka të ndryshme, por këto përfitime nuk i mundësonin një jetë financiarisht të qëndrueshme. Për këtë arsye, vendosi të provonte një rrugë tjetër, duke iu bashkuar OnlyFans, vendim që, sipas saj, i ndryshoi të ardhurat dhe mënyrën e jetesës.
“Brenda tetë muajsh, fitimet e mia u rritën nga rreth 5 mijë në 50 mijë euro në muaj. Tani ndoshta fitoj më shumë se surfistet profesioniste dhe mund të surfoj, të udhëtoj dhe të bëj atë që dua”, ka treguar White.
Kërkesa e pazakontë e abonentëve
Një nga aspektet më interesante të punës së saj të re është kërkesa e disa abonentëve për ta parë me veshje specifike të surfingut. Sipas White, disa prej tyre paguajnë posaçërisht për përmbajtje ku ajo shfaqet me kostume surfi prej neopreni.
“Disa prej tyre paguajnë vetëm për të më parë me kostum surfi. Më thonë të mos e heq, sepse u pëlqen neopreni i ngushtë”, ka rrëfyer ajo.
White ka treguar se disa abonentë preferojnë veçanërisht veshjet që përdoren gjatë dimrit, kur surferet mbrohen nga temperaturat e ulëta përmes kostumeve të trasha, dorezave, çizmeve dhe kapuçëve. Në këtë mënyrë, pajisjet sportive që dikur e kishte të vështirë t’i përballonte financiarisht, janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të përmbajtjeve që i sigurojnë të ardhura.
Aktualisht, ajo jeton pranë Gjirit Byron në Australi, ku mund të vazhdojë të merret me surfing dhe të udhëtojë pa pasur të njëjtat shqetësime financiare si më parë.
Vendimi pati edhe pasoja në karrierën sportive
Megjithatë, kalimi në këtë industri nuk ka qenë pa pasoja. Disa prej sponsorëve të saj në botën e surfingut ndërprenë bashkëpunimin pasi mësuan se White kishte filluar të krijonte profesionalisht përmbajtje për të rritur.
Ajo beson se komuniteti i surfingut ende e ka të vështirë të pranojë gratë që zgjedhin këtë lloj karriere, duke theksuar se sportistet nuk duhet të varen vetëm nga sponsorët për të financuar pasionin e tyre.
Për White, kjo zgjedhje i ka dhënë pavarësi financiare dhe mundësinë për të vazhduar të bëjë atë që e ka dashur gjithmonë: të udhëtojë dhe të merret me surfing. /Telegrafi/

