Sulmet me zjarrvënie nga kolonët ekstremistë izraelitë ndaj fshatrave palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë shkaktuar reagime të ashpra politike në Izrael.
Udhëheqësi i opozitës, Gadi Eisenkot, i ka cilësuar këto sulme si “terrorizëm hebre”, duke akuzuar qeverinë izraelite për lejimin e përshkallëzimit të dhunës, raporton The Guardian.
Dhjetëra kolonë sulmuan disa komunitete palestineze gjatë natës së së shtunës, duke u vënë zjarrin rreth një duzine automjetesh dhe disa shtëpive, si dhe duke shkruar mbishkrime raciste në mure. Sipas raportimeve, të paktën katër komunitete u sulmuan.
Policia izraelite njoftoi se ka nisur hetimet për rastet, ndërsa në vendngjarje janë dërguar edhe ekipet e forenzikës.
Në fshatin Kafr Malik, pranë Ramallahut, fotografitë tregojnë automjete dhe shtëpi të djegura. Në njërin prej mbishkrimeve në gjuhën hebraike shkruhej: “Kjo është hakmarrja e parë”.
Ndërkaq, pamje nga fshati Deir al-Sudan treguan automjete të përfshira nga flakët. Sipas raportimeve palestineze, në Deir Ballut ishte djegur një objekt bujqësor, ndërsa në Deir Abu Mashal ishin djegur disa vetura.
Eisenkot, i cili ka marrë mandatin për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të pasuksesshme të muajit të kaluar, tha se sulmet përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Sulmet me zjarrvënie të mbrëmshme në Jude dhe Samari ishin akte të terrorizmit hebre, në çdo kuptim të fjalës”, deklaroi ai, duke përdorur emërtimin biblik për Bregun Perëndimor.
Ai akuzoi ministrat e ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, se me veprimet e tyre në Bregun Perëndimor e kanë çuar situatën drejt anarkisë së pakontrolluar.
Eisenkot i bëri thirrje qeverisë dhe institucioneve të sigurisë që të përdorin të gjitha mekanizmat në dispozicion, përfshirë ndalimin administrativ dhe operacionet e shërbimit të sigurisë Shin Bet, për të ndaluar sulmuesit dhe për të vendosur sanksione të ashpra ndaj tyre.
Kritika ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu kanë ardhur edhe nga politikanë të tjerë izraelitë.
Kreu i partisë Yesh Atid, Yair Lapid, e bëri qeverinë përgjegjëse për nxitjen e sulmeve, duke thënë se “terrorizmi hebre është produkt i neglizhencës kriminale të qeverisë izraelite”.
Ndërsa Yair Golan, udhëheqës i partisë Demokratët, paralajmëroi për mundësinë e një intifade të tretë, duke thënë se Bregu Perëndimor ndodhet në prag të një shpërthimi të dhunës.
“Shteti i Izraelit duhet ta zëvendësojë qeverinë aktuale, e cila i ofron mbrojtje dhe mbështetje terrorizmit hebre dhe braktis sigurinë”, deklaroi Golan.
Edhe Noam Tibon, gjeneralmajor në pension dhe anëtar i Knessetit, paralajmëroi se dështimi për të ndalur dhunën e kolonëve mund të ketë pasoja të rënda për Izraelin.
“Nëse Izraeli nuk e eliminon terrorizmin hebre në Bregun Perëndimor, ai do ta shkatërrojë Izraelin”, shkroi ai.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga politikanët opozitarë.

