Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka paralajmëruar kontrolle dhe masa ligjore ndaj personave që qarkullojnë me automjete off-road dhe motoçikleta jashtë rrugëve të lejuara në zonat natyrore.
Përmes një aktiviteti të zhvilluar të dielën në zonën e Moknës, Inspektorati i Natyrës, në bashkëpunim me rojet e natyrës të DAPK-së, ka zhvilluar një aksion vetëdijesues për personat që frekuentojnë këtë zonë me mjete motorike.
Sipas njoftimit, Mokna, si zonë e propozuar për mbrojtje, ka vlera të rëndësishme natyrore dhe peizazhore, të cilat rrezikohen nga lëvizja e pakontrolluar e automjeteve jashtë rrugëve të lejuara.
DAPK-ja ka theksuar se qarkullimi i tillë shkakton dëme në peizazhin natyror, mbulesën bimore, tokën dhe qetësinë e habitateve natyrore.
Drejtoria ka bërë të ditur se thirrja për respektimin e rregullave vlen për të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, e jo vetëm për zonën e Moknës.
Po ashtu, u është bërë thirrje qytetarëve dhe adhuruesve të aktiviteteve motorike që të mos qarkullojnë jashtë rrugëve të lejuara dhe të tregojnë përgjegjësi ndaj mjedisit.
“Kontrollet dhe mbikëqyrja në terren do të vazhdojnë, ndërsa ndaj shkelësve do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore, përfshirë shqiptimin e gjobave”, thuhet në njoftim.
“Natyra nuk është pistë garash! Mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, ka përfunduar DAPK-ja.

