Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si dështim qeverisës.
Përmes një postimi në Facebook, Sadiku ka rikujtuar premtimet e kryeministrit Albin Kurti për sektorin e energjisë, të bëra në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë.
Ai ka përmendur shpenzimet për importin e energjisë elektrike, investimet në riparimin e termocentraleve dhe subvencionet, duke ngritur pikëpyetje për rezultatet e këtyre shpenzimeve.
“Po flejna mbi qymyr”, thojke. “Rryma ka me u liru kur të vijmë në pushtet”, thojke. 1.1 miliard euro i kanë shpenzu për import të rrymës. E hala po blejnë. Qindra miliona euro thonë se i kanë investu në riparime të termocentraleve. Qindra miliona të tjera në subvencione e grante. E pas krejt këtyne miliardave, ku jemi sot?”, ka shkruar Sadiku.
Sipas deputetit të LDK-së, gjendja aktuale karakterizohet me masa emergjente, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme të vazhdueshme në funksionimin e termocentraleve.
Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe, sipas tij, mungesën e një strategjie të qartë energjetike.
“Kemi qymyr nën tokë, por s’kemi rrymë mbi tokë. Kjo nuk është veç paaftësi. Kjo është dështim i rëndë qeverisës”, ka deklaruar Sadiku.
Në fund, deputeti i LDK-së ka kërkuar nga Qeveria Kurti që t’u kërkojë falje qytetarëve për situatën në sektorin e energjisë.
“E më e keqja është që, pas krejt këtyne dështimeve, ende dalin e na mbajnë ligjërata për sukseset e tyre. Kërkoni more falje këtij populli!”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/

