Një shumë prej 102 milionë eurosh është paraparë të ndahet nga buxheti i Kosovës për vitin 2026 për të mbuluar pagesën e pagës së 13-të dhe kompensimin retroaktiv të përvojës së punës për të punësuarit në sektorin publik.
Kjo shumë është përfshirë në Ligjin Nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ku mjetet janë sistemuar në kategorinë “Paga dhe Shtesa”, përmes nënprogramit të kontigjencave të Ministrisë së Financave, transmeton lajmi.net.
Mjetet e parapara paraqesin një shtesë ndaj buxhetit të miratuar më herët për këtë vit dhe janë të dedikuara për realizimin e dy obligimeve financiare ndaj punonjësve të institucioneve publike.
Sa i përket kompensimit për përvojën e punës, ligji i jep Qeverisë përgjegjësinë që, me propozimin e ministrit të Financave, të vendosë për realizimin e pagesave retroaktive. Ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me aktgjykimin KO79/23 të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, sipas projeksioneve të përfshira në dokumentin buxhetor, fondi i përgjithshëm për paga dhe shtesa gjatë vitit 2026 arrin në 1 miliard e 82.4 milionë euro, pa përfshirë ndryshimet e fundit të parapara për këto obligime.
Ndryshimet buxhetore, të përpunuara gjatë muajit tetor, janë dekretuar edhe nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Më poshtë gjeni detajet:

