Klodiana Shala del nga Shqipëria të paktën një herë në muaj për të blerë ushqime. Ish-atletja, sot sipërmarrëse, thotë se blen kryesisht në Kosovë, ku, sipas saj, gjen çmime më të ulëta dhe produkte më cilësore.
“Unë një herë në muaj, ndonjëherë më shpesh dal jashtë kufijve… në Greqi, Itali, Maqedoni të Veriut, por kryesisht në Kosovë. Çmimet e ushqimeve janë thuajse përgjysmë, ka një ndryshim të madh qoftë në çmim dhe cilësi”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë (REL).
Në Shqipëri, ajo thotë se e ndien më shumë mungesën e shërbimeve për të cilat tashmë paguan, sidomos në shëndetësi.
“Unë paguaj një shumë të konsiderueshme për sigurimet shëndetësore dhe marr shërbime minimale. Në spitale mund të bësh një analizë të thjeshtë gjaku, kurse për të tjerat të drejtojnë te privati, ku shërbimi është shumë i shtrenjtë”, thotë Shala.
Për Shalën, kostoja e jetesës dhe qasja në shërbime publike mbeten shqetësime të përditshme, teksa Shqipëria shënon përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Vendi i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe i ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. Qeveria synon t’i përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027.
Nga kapitujt e negociatave te kushtet e jetesës
Kostoja e jetesës dhe cilësia e shërbimeve publike janë ndër çështjet e ngritura në protestat që vazhdojnë prej afro gjashtë muajsh para Kryeministrisë në Tiranë, ku kërkohet largimi i qeverisë së Edi Ramës.
Protestat nisën në maj kundër një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Në tetor, protestat e udhëhequra nga studentët sollën në shesh edhe pakënaqësi të grumbulluara ndër vite për kushtet e jetesës në Shqipëri.
Për Irini Myftarajn, studente e gazetarisë dhe pjesëmarrëse në protesta, mungesa e shërbimeve publike bazë është ndër pakënaqësitë kryesore.
“Ne dhe familjet tona çdo ditë përballemi me situatën në spitale. Aty nuk ka vigona nëpër spitale, nuk ka doreza, na kërkohet të blejmë vetë ilaçet. Por ndërkohë flasim për investime strategjike”, thotë Myftaraj për REL.
Ajo e lidh mungesën e shërbimeve me mënyrën se si qeveria i përcakton përparësitë e investimeve publike. Teksa vlerëson se investimet strategjike mund të sjellin përfitime, kërkon transparencë për to dhe përparësi për shërbimet bazë.
“Së pari siguro kushtet bazë të jetesës, pastaj flasim edhe për investime strategjike, për të cilat duhet të na thuhet sa fitojnë vërtetë shqiptarët”, thotë ajo.
Shala dhe Myftaraj u përkasin brezave të ndryshëm dhe të dyja e mirëpresin përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Por, presin që ai të shoqërohet me përmirësime të prekshme në jetën e tyre të përditshme.
Situata socio-ekonomike në Shqipëri
Paga mesatare mujore bruto: 92.150 lekë, ose rreth 1.000 euro, në tremujorin e dytë të vitit 2026, para tatimit dhe kontributeve.
Papunësia te të rinjtë 15–24 vjeç: 21,5% më 2025, për të gjitha nivelet arsimore, kundrejt 8,4% në nivel vendi.
Rreziku nga varfëria: 19% e popullsisë më 2025, me të ardhura të disponueshme nën pragun relativ të varfërisë.
Privimi i rëndë material dhe social: 31,2% e popullsisë më 2025 nuk përballonte të paktën 7 nga 13 nevoja materiale dhe sociale. Ky tregues mat pamundësinë për të përballuar të paktën shtatë nga 13 nevoja ose shpenzime, ndër të cilat mbajtja e banesës ngrohtë, pagesa në kohë e faturave dhe mbulimi i një shpenzimi të papritur.
Burimi: INSTAT; shuma në euro është e përafërt.
Shqetësimet për shëndetësinë pasqyrohen edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, të publikuar më 4 nëntor. Krahas përparimit të vendit drejt anëtarësimit, raporti evidentoi se kujdesi parësor mbetet i nënfinancuar dhe se spitalet vazhdojnë të përballen me mungesa të barnave thelbësore dhe të pajisjeve mjekësore.
Për Geron Kamberin, ekspert i integrimit evropian, anëtarësimi në BE nuk është një shkop magjik që zgjidh automatikisht problemet e vendit. Sa do ta ndiejnë qytetarët afrimin me BE-në varet, sipas tij, nga mënyra se si Shqipëria i zbaton reformat gjatë negociatave.
Përkundër përparimit të shpejtë në negociatat për anëtarësim, thotë ai, vendi ka ende punë për t’u përafruar me standardet evropiane në fusha që ndikojnë në kushtet e jetesës, si transporti, mjedisi dhe shërbimet sociale.
Kamberi e lidh përshpejtimin e negociatave edhe me vëmendjen më të madhe të BE-së ndaj sigurisë pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Sipas tij, zgjerimi ka marrë rëndësi më të madhe si pjesë e sigurisë evropiane, duke u dhënë shtysë bisedimeve me vendet kandidate.
Megjithatë, në leximin e Kamberit, raporti i Komisionit nxjerr në pah hendekun mes përparimit formal në negociata dhe zbatimit të reformave në disa fusha.
“Ndërsa Shqipëria ka arritur objektiva historike në procesin formal të anëtarësimit, Brukseli vëren se përmbushja e plotë e standardeve evropiane kërkon rezultate më të qëndrueshme në qeverisje, ekonomi dhe shtetin e së drejtës”, thotë Kamberi për REL.
Qeveria shqiptare e cilësoi raportin si më të mirin që Shqipëria ka marrë deri më tani, duke e paraqitur si konfirmim se negociatat po i afrohen fazës përmbyllëse.
Të ndërtosh të ardhmen në Shqipëri
Për Myftarajn, një nga shenjat më të rëndësishme të përparimit do të ishte që të rinjtë të kishin mundësi të ndërtonin një jetë në Shqipëri.
Ajo thotë se shumë prej bashkëmoshatarëve të saj largohen sepse nuk shohin perspektivë në vend.
Sipas raportit të Komisionit Evropian, në vitin 2025, rreth një në pesë të rinj të moshës 15–29 vjeç nuk punonte dhe nuk ndiqte as shkollim, as formim profesional.
Raporti vëren gjithashtu se emigrimi i punonjësve të kualifikuar dhe rënia demografike po e pakësojnë fuqinë punëtore.
Shala thotë se shumë prej miqve të saj janë larguar për të siguruar kushte më të mira jetese. Ajo vetë zgjodhi të qëndrojë.
Shala është një nga emrat e njohur të atletikës shqiptare, por sot thotë se dy dekadat që i kushtoi atletikës nuk i njihen si vite pune.
“Angazhimi im në atletikë nisi në 1993 dhe ka vijuar për dy dekada. Gjithë ky angazhim, unë nuk figuroj e siguruar, nuk më njihen si vite pune”, thotë Shala.
Për vendimin për të qëndruar, ajo jep një arsye të thjeshtë. “Se e dua vendin tim”.
Pas atletikës, Shala nisi të punonte në sektorin privat dhe hapi biznesin e saj. Ajo thotë se nga institucionet do të kishte dashur të gjente edhe mbështetje për ta zhvilluar biznesin.
“Punoj nga ora 6 e mëngjesit deri në 22 të darkës. Bëj dy punë, dhe kur bëj bilancin rezulton se unë punoj për mbijetesë. Ky është një tjetër zhgënjim jashtëzakonisht i madh”, thotë ajo.
Myftaraj dëshiron që brezi i saj të ketë mundësi të bëjë të njëjtën zgjedhje si Shala dhe të qëndrojë në Shqipëri pa u zhgënjyer.
“E duam Bashkimin Evropian, por duam të jetojmë këtu në vendin tonë dhe jo të ikim si emigrant diku tjetër. Duam të ndjehemi pjesë e Bashkimit Evropian duke jetuar në vendin tonë”, thotë ajo./Radio Evropa e Lirë/

