Raphinha nuk e ka përjetuar aspak lehtë gjithë polemikën e krijuar në Brazil pas deklaratave të tij për menaxhimin e minutave në Kombëtare.
Sulmuesi i Barcelonës është ndier i prekur nga kritikat, pasi disa tifozë dhe komentues e interpretuan kërkesën e tij për kujdes fizik si mungesë përkushtimi ndaj fanellës së Brazilit.
Futbollisti kishte kërkuar nga Carlo Ancelotti që të kishte kujdes me ngarkesën fizike, pasi në tri grumbullimet e fundit kishte pësuar tri lëndime muskulore.
Megjithatë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të shumta në vendlindje.
Në një konferencë për media në Singapor, Raphinha u shfaq dukshëm i emocionuar dhe për disa sekonda nuk arriti të vazhdonte përgjigjen.
Ai theksoi se dëshiron të jetë gjithmonë në dispozicion të Brazilit dhe Barcelonës, por vetëm nëse gjendja fizike ia mundëson këtë.
"Është e vështirë që kritikat të mos na prekin. Jemi njerëz dhe, sado që përpiqemi, është normale të ndikohemi. Kushdo që do të ishte në vendin tim, duke marrë kaq shumë kritika dhe duke e ditur se po jep maksimumin, do të ndihej i prekur", deklaroi braziliani. /Zëri

