Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se në Gjilan do të realizohen tri projekte të reja infrastrukturore, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve për zhvillimin e futbollit në këtë regjion.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka njoftuar se pas realizimit të projektit të ndriçimit në stadiumin ndihmës të qytetit, ku aktualisht ndeshjet i zhvillojnë Drita dhe Gjilani, si dhe klubet dhe shkollat e futbollit, do të vazhdojnë investimet me tri projekte të reja.
Projekti i parë parasheh vendosjen e një tapeti të ri sintetik në stadiumin ndihmës të Gjilanit, ndërsa investimi i dytë përfshin vendosjen e tapetit në fushën sportive në Zabelin e Sahit Agës.
Ndërkohë, projekti i tretë ka të bëjë me shtrimin e barit natyral në fushën e kampit stërvitor të FC Drita, duke krijuar kushte më të mira për përgatitjen e futbollistëve të klubit gjilanas.
Ademi ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit synojnë edhe ndërtimin e fushave të vogla sportive në lagje dhe pranë shkollave, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të kenë më shumë hapësira për t’u marrë me futboll.
Kreu i FFK-së ka theksuar se investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme për të ardhmen e futbollit, duke shtuar se puna do të vazhdojë në bashkëpunim me klubet, komunën dhe Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit./Telegrafi/

