Burim Ramadani ka deklaruar se Aleanca po dëshmon çdo ditë e më shumë se përfaqëson opozitën e vërtetë në Kosovë, duke theksuar se kjo parti nuk ka bërë asnjë lloj marrëveshjeje apo kalkulimi politik me Qeverinë aktuale.
Në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin”, Ramadani tha se Aleanca nuk ka pasur as marrëveshje, as paramarrëveshje apo tentativa për marrëveshje me Qeverinë, të cilën ai e akuzoi se po e dëmton jashtëzakonisht Kosovën.
Ai e përshkroi gjendjen në vend si “terr të madh”, duke iu referuar fillimisht çështjes së energjisë elektrike, por duke thënë se kjo shprehje simbolizon edhe mënyrën e qeverisjes.
“Aleanca është duke e dëshmuar çdo ditë e më shumë se është komuniteti i opozitarëve të vërtetë, për dy arsye. E para, Aleanca nuk ka bërë asnjë lloj kalkulimi, marrëveshjeje, paramarrëveshjeje, gjysmë-marrëveshjeje apo tentim-marrëveshjeje me këtë Qeveri, për të cilën ne mendojmë se është duke e dëmtuar jashtëzakonisht Kosovën”, tha ai.
“Kosova është në terr të madh. Po flas për rrymën si temë, por shprehja ‘terr i madh’ e simbolizon edhe qeverisjen”, deklaroi Ramadani.
Deputeti i Aleancës theksoi se qëndrimet opozitare të partisë së tij, sipas tij, nuk udhëhiqen nga inati politik, por shoqërohen vazhdimisht me alternativa dhe propozime konkrete.
“Nuk ka qëndrim opozitar që Aleanca e thotë e nuk e jep opsionin, ne japim opsione vazhdimisht”, u shpreh Ramadani./GazetaBlic

