38-vjeçarja nga Nju Jorku, Deirdre Keane, ka arritur një sukses të pazakontë sportiv, duke përfunduar plot shtatë maratona brenda këtij viti teksa ishte shtatzënë, përfshirë të gjitha garat e serisë prestigjioze “World Marathon Majors”.
E regjistruar fillimisht në 11 gara ekstreme si “aventura e fundit” para mëmësisë, ajo zbuloi se ishte shtatzënë në muajin prill, menjëherë pas maratonës së Tokios, transmeton IndeksOnline.
Me dritën jeshile nga mjekja e saj gjinekologe, Keane hoqi dorë nga gara “Ironman” dhe uli ritmin, duke përfunduar me sukses edhe maratonat e Bostonit, Londrës, Sidney, Berlinit, Çikagos dhe së fundmi të Nju Jorkut.
Garën në qytetin e saj të lindjes ajo e mbylli në javën e 34-t të shtatzënisë me kohë prej 4 orë e 6 minuta, e mbështetur përgjatë shtegut nga bashkëshorti i saj.
“Nuk mendoj se mjekja ime priste që t’i përfundoja garat deri në fund, sidomos kaq e avancuar në shtatzëni. Por jam shumë kokëfortë dhe e vendosur”, deklaroi ajo për “Associated Press”.
E frymëzuar nga babai i saj i ndjerë, i cili vazhdoi të vraponte maratona edhe në muajt e fundit të betejës me kancerin, 38-vjeçarja shpreson që ky rrugëtim t’i mësojë djalit të saj qëndrueshmërinë dhe forcën për t’i kapërcyer sfidat e jetës. /IndeksOnline/

