Komuna e Prishtinës ka hapur procedurën e tenderimit për realizimin e projektit të ndërtimit të urës, përkatësisht mbikalimit dhe nënkalimit për vetura dhe automjete në Veternik, mbi rrugën “A”. Projekti parashihet të realizohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ndërsa vlera e parashikuar e investimit është 10 milionë euro, shkruan IndeksOnline.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën E-prokurimi, bëhet fjalë për një projekt të rëndësishëm infrastrukturor, që synon përmirësimin e qarkullimit të automjeteve në njërën prej zonave me zhvillim të madh urban në kryeqytet.
Afati për pranimin e ofertave nga operatorët ekonomikë është caktuar më 27 nëntor 2026.
10 milionë euro ndahen mes Komunës së Prishtinës dhe MMPHI-së
Nga dokumentacioni i publikuar bëhet e ditur se projekti do të financohet në mënyrë të përbashkët nga Komuna e Prishtinës dhe MMPHI-ja, me nga 5 milionë euro secila.
Sipas planifikimit financiar, Komuna e Prishtinës ka paraparë këtë ndarje të mjeteve:
- 1 milion euro për vitin 2026;
- 1 milion euro për vitin 2027;
- 2 milionë euro për vitin 2028;
- 1 milion euro për vitin 2029.
Ndërkaq, MMPHI-ja do të kontribuojë me:
- 2 milionë euro për vitin 2026;
- 1.5 milion euro për vitin 2027;
- 1.5 milion euro për vitin 2028.
Kështu, investimi i përgjithshëm prej 10 milionë eurosh do të realizohet përmes bashkëfinancimit ndërmjet dy institucioneve.
Çfarë parasheh projekti?
Projekti përfshin ndërtimin e një infrastrukture me mbikalim dhe nënkalim për vetura dhe automjete në Veternik, mbi rrugën “A”. Ky investim synon të krijojë mundësi më të mira për organizimin e qarkullimit në këtë zonë, e cila është zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit.
Realizimi i projektit pritet të ketë rëndësi për qarkullimin rrugor në këtë pjesë të kryeqytetit, veçanërisht për lidhjen e zonave përreth me rrjetin rrugor të Prishtinës.
Sipas njoftimit në platformën e-prokurimi, bëhet fjalë për procedurë të hapur të prokurimit, ndërsa ofertat dorëzohen në mënyrë elektronike.
Me këtë projekt, Komuna e Prishtinës dhe MMPHI-ja kanë paraparë një investim prej 10 milionë eurosh në infrastrukturën rrugore të Veternikut, ndërsa mbetet të shihet se cili operator ekonomik do ta fitojë kontratën dhe kur do të nisë realizimi i punimeve.

