Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka shprehur kritika ndaj Projektbuxhetit për vitin 2027, duke ngritur shqetësime për nivelin e rritjes së pagave, shtyrjen e rritjes së koeficientit deri në korrik dhe mungesën e investimeve të mjaftueshme kapitale.
Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës, ka vlerësuar se ndarjet buxhetore nuk reflektojnë nevojat e punëtorëve dhe qytetarëve, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën e planifikimit të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, transmeton lajmi.net.
Ajo ka theksuar se për paga është paraparë vetëm një rritje prej 0.3 për qind, ndërsa rritja e koeficientit është planifikuar të nisë nga muaji korrik.
“Pra, kur jemi te pagat, vetëm 0.3% shtohet buxhetit. Pra, nuk ka rritje qysh ka pasur as në 2026-ën. Rritja e koeficientit e paraparë në korrik, qytetarë të nderuar, viti i ka 19 muaj. Nuk 12 muaj, pra jo gjashtë. Pra, një vit ka 12 muaj dhe jo gjashtëmuajsh siç i dalin qeverisë”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, rritja e koeficientit do të duhej të zbatohej nga 1 janari, në mënyrë që punëtorët të përfitonin në mënyrë të barabartë gjatë gjithë vitit.
“Koeficienti do të duhej të rritej me një kalkulim, në qoftë se është për interes të të gjithë atyre që sot edhe punojnë, të rritet nga 1 janari, ky do të ishte një kalkulim i drejtë”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka ngritur shqetësime edhe për realizimin e investimeve kapitale, duke përmendur shumën prej 82 milionë eurosh të paguara për vendime gjyqësore. Sipas saj, këto shpenzime kanë ndikuar në zvogëlimin e mjeteve që do të duhej të shkonin për projekte zhvillimore.
“Struktura e shpenzimeve të investimeve kapitale në këtë raport nëntëmujor për 2026-ën, siç e përmenda edhe më herët, shkon edhe në një pjesë tjetër, 82 milionë janë paguar për vendime gjyqësore, që i bie prapë një e katërta nuk ka shkuar në investime kapitale”, është shprehur deputetja.
Një pjesë të kritikave Haxhiu ia ka kushtuar edhe projekteve infrastrukturore në komuna, me theks të veçantë në Prishtinë. Ajo ka konsideruar se ndarja prej vetëm një milion eurosh për Unazën e Jashtme të kryeqytetit është e pamjaftueshme, marrë parasysh gjatësinë e projektit prej rreth 29 kilometrash.
“Për unazën e jashtme të Prishtinës, është një fyerje ndarja prej 1 milion euro. Mos flasim se sa vite vyjnë këtu për shkak se projekti ka rreth 29 kilometra rrugë”, ka deklaruar Haxhiu.
Kritika ka pasur edhe për Autostradën e Dukagjinit, për të cilën në Projektbuxhet janë paraparë një milion euro. Haxhiu ka vlerësuar se me një shumë të tillë, realizimi i projektit mund të zgjasë për dekada.
“Te autostrada e Dukagjinit prapë është një mashtrim, 1 milion euro ndahen, vyjnë dekada për t’u përfunduar”, ka thënë ajo.
Në përfundim, deputetja e Aleancës ka ngritur çështjen e financimit të rrugës Kijevë–Zahaq, duke thënë se shuma e ndarë nuk garanton përfundimin e punimeve gjatë vitit 2027.
“Tek rruga Kijevë-Zahaq, pra nuk mbulohet as në 2027-ën. Është një shumë minimale e ndarë, i bie që deri tash janë kryer 2 kilometra rrugë. Kërkohen minimum edhe tre vite ose edhe tre vera për t’u përfunduar kjo rrugë”, ka përfunduar Haxhiu.
Me këto deklarata, Haxhiu ka vënë në pikëpyetje prioritetet e Projektbuxhetit 2027, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj pagave, investimeve kapitale dhe përfundimit të projekteve të rëndësishme infrastrukturore./lajmi.net/

