Policia e Kosovës ka realizuar një operacion në shkallë vendi kundër trafikimit me qenie njerëzore, gjatë të cilit janë kontrolluar 102 lokale, janë mbyllur 15 prej tyre dhe janë arrestuar tetë persona për kundërvajtje që lidhen me prostitucionin, raporton lajmi.net.
Operacioni i koduar “Vjeshta 2026” është zhvilluar nga 3 deri më 17 nëntor, nën drejtimin e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me inspektorë të institucioneve të ndryshme dhe njësi të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë këtij operacioni janë kontrolluar 40 lokale me muzikë live, ku janë hasur gjithsej 285 persona, prej të cilëve 223 femra dhe 62 meshkuj.
Nga këta persona, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj. Në mesin e shtetaseve të huaja ishin 155 nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.

Si rezultat i inspektimeve, tetë lokale me muzikë live janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kontrollohen 62 qendra masazhi, mbyllen shtatë
Policia ka njoftuar se gjatë operacionit janë kontrolluar edhe 62 qendra masazhi në të gjithë territorin e Kosovës.
Në këto qendra janë hasur 120 persona, prej të cilëve 94 femra dhe 26 meshkuj.
Sipas Policisë, 73 persona ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 47 shtetas të huaj, përfshirë 19 femra nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.
Pas kontrolleve, shtatë qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.
Tetë të arrestuar për prostitucion, shtetaset e huaja dëbohen nga Kosova
Gjatë zbatimit të planit operativ janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me veprimtari të eskortës.
Në këto raste janë arrestuar gjithsej tetë persona: katër meshkuj, prej të cilëve tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër femra, një shtetase e Brazilit dhe tri shtetase të Kolumbisë.
Për këto kundërvajtje janë dorëzuar fletëparaqitje në gjykatë, ndërsa personave të përfshirë u janë shqiptuar gjoba.
Sipas Policisë, ndaj shtetaseve të huaja, gjykata ka shqiptuar edhe masa plotësuese të dëbimit nga territori i Kosovës dhe ndalimit të hyrjes për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Nuk u identifikua asnjë viktimë e trafikimit
Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit të gjitha punëtoreve të hasura në lokale me muzikë live, qendra masazhi dhe veprimtari të eskortës u është ofruar mundësia të deklaronin nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit.
Megjithatë, sipas Policisë, gjatë këtij operacioni nuk është identifikuar asnjë rast i trafikimit me qenie njerëzore.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Tregut, Inspektoratin Qendror të Punës, Administratën Tatimore të Kosovës, inspektorët sanitarë dhe njësi të tjera policore./Lajmi.net/

