Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se vizita e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë, pas gjashtë vjetësh, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, ishte një moment tejet i dhimbshëm.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Nagavci ka thënë se pamjet nga kjo vizitë rikthejnë në vëmendje kohën e humbur dhe momentet familjare që nuk mund të rikuperohen.
Ajo ka theksuar se rasti i Krasniqit duhet të shërbejë edhe si reflektim për pasojat që mund të kenë vendimet politike në jetën e qytetarëve.
“Ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër se vendimet politike nuk mbeten në dokumente, por dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, ka thënë ajo.
Nagavci e ka cilësuar Krasniqin si një figurë të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke rikujtuar rolin e tij në periudha vendimtare të shtetndërtimit.
Në këtë kontekst, ajo ka kritikuar votimin e vitit 2015 për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një vendim të gabuar, pasojat e të cilit, sipas saj, po vërehen edhe sot.
“Votimi për themelimin e saj ishte gabim, pasojat e të cilit po i shohim edhe sot”, ka deklaruar Nagavci.
Në fund, ajo ka thënë se nga kjo përvojë duhet të nxirren mësime për mënyrën se si deputetët i ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrat e tyre parlamentare.

