Hektor Avdyli, apo njohur ndryshe në publik si nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kërkohej nga autoritetet amerikane nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me krimet kibernetike.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 19 nëntor 2026, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në koordinim me institucionet e drejtësisë dhe Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.
Avdyli iu dorëzua autoriteteve amerikane, përkatësisht njësisë U.S. Marshals, pas kërkesës së paraqitur nga institucionet e drejtësisë në SHBA.
Për çfarë dyshohet?
Sipas dokumenteve të autoriteteve amerikane, përfshirë aktakuzën e datës 7 tetor 2025, Hektor Avdyli dyshohet për disa vepra penale, mes tyre mashtrim përmes komunikimeve elektronike, mashtrim me pajisje të qasjes, vjedhje të identitetit në rrethana rënduese dhe hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike.
Në dokumentacionin e dorëzuar për ekstradim përfshihen edhe deklarata nën betim të prokurorit federal Benjamin Proctor dhe agjentes speciale të FBI-së, Madeline Hoehnen.
Dyshimet e autoriteteve amerikane lidhen edhe me transaksione përmes Bitcoin-it, të dhëna të një llogarie në platformën Binance të regjistruar në emrin e tij, si dhe blerje të kontrolluara të të dhënave të kartelave të kreditit.
Ndërkohë, Hektor Avdyli ishte arrestuar në Prizren, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Çfarë thuhej në vendimin e Apelit për ekstradim?
Gjykata e Apelit të Kosovës pati refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit të Hektor Avdylit, Blerim Mazreku, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte lejuar ekstradimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krejt kjo për faktin se kërkesa për ekstradim është paraqitur nga autoritetet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku përmes kanaleve diplomatike, përfshirë edhe aktakuzën e datës 07.10.2025, urdhër arrestin e lëshuar nga autoritetet gjyqësore amerikane, deklaratën nën betim të prokurorit federal Benjamin Proctor, si dhe deklaratën nën betim të agjentes speciale të FBI-së Madeline Hoehnen.
Sipas aktakuzës të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Hektor Avdyli akuzohet për kryerjen e veprave penale si “mashtrime përmes komunikimeve elektronike”, “mashtrime me pajisjet e qasjes”, “vjedhja e identitetit në rrethana rënduese”, “hyrja e paautorizuar kompjuterike” në të cilat dyshohet se i njëjti është lidhur me këto veprime përmes transaksionit me Bitcoin, të dhënave të llogarisë Binance të regjistruara në emrin e tij si dhe blerjeve të kontrolluara të dhënave të kartave të kreditit.
Avokati gjithashtu ka kundërshtuar edhe ekstradimin me pretendimin se veprimet për të cilat kërkohej Avdyli ndërlidheshin me territorin e Kosovës dhe kishte kërkuar që të merrej parasysh edhe fakti se ai është shtetas i Kosovës, jeton me familjen dhe është student.
Sipas Apelit, Prokuroria Speciale e kishte marrë çështjen në trajtim duke u mbështetur në nenin 10, paragrafin 1, nën-paragrafin 1.2 të Ligjit për Prokurorinë Speciale, duke pasur parasysh karakterin transnacional të veprave penale dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet e shteteve te Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me pushimin e hetimeve në Kosovë, Apeli ka vlerësuar se ato janë pushuar për arsye juridiko-procedurale, për shkak të pamundësisë së zhvillimit paralel të dy procedurave për të njëjtat veprime, e jo për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm.
Ndërsa, sa i përket pretendimit për paligjshmërinë e sekuestrimit të sendeve dhe provave, Apeli ka vlerësuar se pushimi i hetimeve për arsye juridiko-procedurale nuk nënkupton se provat e siguruara gjatë tyre janë të kundërligjshme apo se të gjitha sendet e sekuestruara duhet të kthehen.
Gjykata ka theksuar se autoritetet Amerikane, në mbështetje të nenit 14 të Traktatit për Ekstradim, kanë kërkuar që sendet që lidhen me veprat penale për të cilat akuzohet Avdyli, të cilat janë gjetur në posedim të tij në momentin e arrestimit, t’u dorëzohen autoriteteve amerikane nëse ekstradimi miratohet.
Sipas Apelit, çështja e ligjshmërisë së sekuestrimit, mbajtjes apo kthimit të sendeve duhet të trajtohet në procedurën përkatëse dhe nuk ndikon vetvetiu në lejueshmërinë e ekstradimit.
Gjykata e Apelit i ka refuzuar edhe pretendimin se veprat penale janë kryer në territorin e Kosovës, duke theksuar se, sipas Traktatit për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, kërkesa për ekstradim nuk mund të refuzohet vetëm për shkak të vendit ku është kryer vepra penale.
Në fund, Apeli ka vlerësuar se shtetësia kosovare e Avdylit, vendbanimi, gjendja familjare dhe statusi i tij si student nuk përbëjnë pengesa ligjore për ekstradim. Po ashtu, ka theksuar se mungesa e pëlqimit të tij për ekstradim përjashton vetëm procedurën e thjeshtësuar, por jo procedurën e rregullt të ekstradimit.
Gjykata e Apelit ka vërtetuar se është respektuar edhe parimi i specialitetit, sipas të cilit Avdyli nuk mund të ndiqet, gjykohet apo dënohet në SHBA për vepra të tjera të kryera para dorëzimit, përveç atyre për të cilat është lejuar ekstradimi./Lajmi.net/

