Mbi 31 mijë shtetas shqiptarë fituan shtetësinë italiane gjatë vitit 2024, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë për nga numri i marrjeve të shtetësisë italiane sipas vendit të origjinës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Italian i Statistikave (ISTAT), të pasqyruara edhe në portalin zyrtar të integrimit të emigrantëve në Itali, gjatë vitit 2024 gjithsej 217 mijë shtetas të huaj fituan shtetësinë italiane.
Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të përfituesve, me rreth 31 mijë raste, të ndjekur nga shtetasit marokenë me 27 mijë dhe ata rumunë me rreth 15 mijë marrje të shtetësisë, shkruan Telegrafi.
Raporti vë në pah se numri i shqiptarëve që fituan shtetësinë italiane mbeti i qëndrueshëm krahasuar me vitin 2023, shkruan Telegrafi.
Ndërkohë, në Itali, më 1 janar 2025, jetonin 5 milionë e 422 mijë shtetas të huaj, që përbënin 9.2 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit.
Të dhënat konfirmojnë praninë e rëndësishme të komunitetit shqiptar në Itali, si dhe vazhdimësinë e procesit të marrjes së shtetësisë italiane nga ky komunitet./Telegrafi/

