KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Dy vjet jashtë futbollit shkaku i dopingut, Mudryk me akuza të rënda: Kombëtarja e Ukrainës është përgjegjëse

Dy vjet jashtë futbollit shkaku i dopingut, Mudryk me akuza të rënda: Kombëtarja e Ukrainës është përgjegjëse

Mykhailo Mudryk, sulmuesi ukrainas i Chelseat, i cili ka humbur pothuajse dy vjet të karrierës për shkak të një testi pozitiv në doping, ka rrëfyer për herë të parë publikisht versionin e tij të ngjarjes. Futbollisti ka drejtuar akuza të rënda ndaj Kombëtares së Ukrainës dhe Federatës së Futbollit të Ukrainës, duke i bërë përgjegjëse për rastin që i ndërpreu karrierën.

Në një intervistë dyorëshe me gazetarin Dmitri Gordon, të publikuar në kanalin e tij në YouTube, lojtari i Chelseat foli për rrethanat që çuan në rezultatin pozitiv për meldonium, pezullimin, problemet psikologjike dhe shpenzimet milionëshe për mbrojtjen ligjore.

Mudryk është i pezulluar që nga nëntori i vitit 2024, ndërsa pezullimi i tij pritet të zgjasë deri në korrik të vitit 2026. Chelsea e transferoi atë nga Shakhtari në janar të vitit 2023, për një shumë prej rreth 100 milionë eurosh. Ndeshjen e fundit para pezullimit e zhvilloi në nëntor të vitit 2024 kundër Heidenheimit në Ligën e Konferencës, ku shënoi në fitoren 2-0 të skuadrës londineze.

Në total, ai ka regjistruar 73 paraqitje me Chelsean, duke realizuar 10 gola dhe duke dhuruar 11 asistime.

Sulmuesi ukrainas pretendon se nuk kishte dëgjuar kurrë për meldoniumin para se të rezultonte pozitiv. Ai është i bindur se substanca e ndaluar ka hyrë në organizmin e tij gjatë kohës kur ishte me kombëtaren e Ukrainës.

“Është një substancë që mund të gjendet vetëm në Evropën Lindore. Mund të ketë hyrë në organizmin tim vetëm aty ku qëndroja, pra në Ukrainë. Në Angli nuk ka substanca të tilla”, deklaroi Mudryk.

Gazetari ukrainas Igor Burbas ka paraqitur një teori që, sipas raportimeve, është bërë pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së futbollistit. Sipas kësaj teorie, në nëntor të vitit 2024, gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Ukrainës, Mudryk kishte marrë një injeksion me qeliza staminale për rigjenerimin e indeve, pas shqetësimeve që kishte ndier gjatë stërvitjeve.

Dyshimet lidhen me origjinën e këtyre qelizave, të cilat pretendohet se vinin nga një lopë që mund të ishte ekspozuar ndaj meldoniumit. Megjithatë, kjo mbetet një teori e paraqitur në kuadër të rastit dhe jo një fakt i vërtetuar.

Mudryk foli edhe për mënyrën se si përgatitej Kombëtarja para ndeshjeve, duke pretenduar se lojtarëve u jepeshin kombinime tabletash pa iu shpjeguar përbërja e tyre.

“Ka nutricionistë që na japin një përzierje tabletash para ndeshjes. Ata thjesht i vendosin në një filxhan dhe lojtarët as që pyesin se çfarë po marrin”, rrëfeu ai.

I pyetur drejtpërdrejt nëse e konsideron Kombëtaren e Ukrainës përgjegjëse për rezultatin pozitiv në testin e dopingut, Mudryk u përgjigj pa hezitim: “Po, pikërisht”.

Ai kritikoi gjithashtu presidentin e Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andrii Shevchenko, duke pretenduar se nuk kishte marrë pothuajse asnjë mbështetje prej tij gjatë procedurave. Madje, futbollisti akuzoi federatën edhe për rrjedhje të informacioneve lidhur me rastin.

“Do të jem i sinqertë, ata bënë sikur po ndihmonin, por në të vërtetë nuk pati asnjë ndihmë. Ata krijuan më shumë probleme sesa zgjidhën. Na kthyen shpinën pikërisht kur kishim më shumë nevojë për ndihmë”, përfundoi Mudryk./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.