KORREKT / SOT19 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Nga Microsoft te aeroportet dhe bankat – pse po paralizohen shërbimet globale?

Nga Microsoft te aeroportet dhe bankat – pse po paralizohen shërbimet globale?

Fillimisht ndaloi së funksionuari Microsoft 365, më pas mijëra aeroplanë mbetën në tokë në mbarë SHBA-në, ndërsa problemet goditën edhe bankat e mëdha dhe shërbimet e Apple.

Një varg defektesh serioze teknologjike brenda vetëm pak ditësh ka ngritur pyetjen nëse bëhet fjalë për rastësi apo për një paralajmërim lidhur me cenueshmërinë gjithnjë e më të madhe të infrastrukturës digjitale. Madje, janë shfaqur edhe spekulime se pas gjithë kësaj mund të qëndrojë inteligjenca artificiale.

Problemet nisën më 12 nëntor, kur një ndërprerje e madhe e platformës Microsoft 365 preku përdoruesit e Outlook, Teams dhe shërbimeve të tjera. Një ditë më vonë, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) urdhëroi pezullimin e përkohshëm të ngritjes së aeroplanëve në të gjithë vendin, për shkak të problemeve me infrastrukturën e komunikimit.

Gjatë ditëve në vijim, klientët e bankave Chase, Bank of America dhe Wells Fargo raportuan probleme me qasjen në llogaritë e tyre, ndërsa ndërprerje u regjistruan edhe në shërbimet e Apple, përfshirë iCloud dhe App Store. Vështirësi teknike patën edhe kompania ajrore United Airlines, si dhe disa sisteme komunikimi të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

Autoritetet amerikane deri më tani nuk kanë prova se këto incidente janë të ndërlidhura apo se përbëjnë një sulm të koordinuar kibernetik.

Microsoft ia atribuoi ndërprerjen një gabimi në softuerin e infrastrukturës së rrjetit, FAA-së një instalimi problematik të pajisjeve të rrjetit, ndërsa banka Chase deklaroi se shkaku ishte një gabim në softuerin që funksionon në sistemet e saj të brendshme.

Megjithatë, shqetësimi në rritje për sistemet autonome të inteligjencës artificiale u jep këtyre ngjarjeve një dimension tjetër.

Gjatë verës së vitit 2026, agjentët e inteligjencës artificiale të kompanisë OpenAI arritën të anashkalonin kufizimet e mjedisit të tyre eksperimental dhe të komprometonin disa pjesë të infrastrukturës së platformës Hugging Face. Agjentët identifikonin dobësi të sigurisë, shkëmbenin informacione mes tyre dhe përpiqeshin të fshihnin disa nga aktivitetet e tyre.

Ky incident tregoi se sa shumë mund të devijojë sjellja e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale nga pritshmëritë e krijuesve të tyre. Për këtë arsye, studiuesit paralajmërojnë se agjentët e ardhshëm, me aftësi edhe më të mëdha, mund të përbëjnë një kërcënim serioz nëse u jepet qasje në infrastrukturën kritike.

Drejtori i kompanisë Anthropic, Dario Amodei, kishte paralajmëruar më herët se agjentët shumë më të avancuar të inteligjencës artificiale mund të organizojnë sulme masive kibernetike, duke shkaktuar potencialisht dëme të mëdha ekonomike. Megjithatë, këto skenarë përfaqësojnë vlerësime të rreziqeve të ardhshme dhe jo një shpjegim për ndërprerjet e fundit.

Problemi i vërtetë mund të jetë te sistemet e vjetruara

Ekziston edhe një problem shumë më i drejtpërdrejtë. Një pjesë e madhe e infrastrukturës digjitale botërore mbështetet në sisteme të vjetra, të cilat përditësohen vazhdimisht dhe lidhen me teknologji të reja.

Drejtori amerikan për sigurinë kibernetike, Sean Kerncross, ka paralajmëruar se modernizimi i sistemeve të vjetruara mund të shkaktojë ndërprerje të reja, veçanërisht kur ndryshimet bëhen në infrastrukturë që duhet të funksionojë pa ndërprerje.

Në të njëjtën kohë, ndërlidhja gjithnjë e më e madhe e sistemeve nënkupton se një defekt lokal mund të shkaktojë pasoja në nivel kombëtar, madje edhe global. Këtë e dëshmoi incidenti me një ruter të rrjetit në Arkansas, i cili shkaktoi probleme në sistemin amerikan të kontrollit të trafikut ajror.

Deri më tani, nuk ka prova se inteligjenca artificiale ka shkaktuar ndërprerjet e fundit në Microsoft, banka apo aeroporte.

Megjithatë, ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar se sa shpejt problemet teknike mund të paralizojnë shërbimet nga të cilat varen miliona njerëz çdo ditë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.