Milani po përgatit një lëvizje të madhe në afatin kalimtar të janarit për transferimin e Endrickut nga Real Madridi, me gjigantin spanjoll që raportohet se është i gatshëm ta shqyrtojë largimin e sulmuesit brazilian për një shumë prej 60 deri në 70 milionë euro.
Sipas ESPN Brasil, klubi italian po synon transferimin e përhershëm të 19-vjeçarit, ndërsa huazimi nuk është më në planet e tij.
Më herët, TNT Sports Brasil raportoi se Milani po përgatit një ofertë prej 70 milionë eurosh, ku 60 milionë do të paguheshin menjëherë dhe 10 milionë të tjera do të përfshiheshin në formë bonusesh.
Megjithatë, Real Madridi mund të kërkojë përfshirjen e një klauzole riblerjeje në marrëveshje, në mënyrë që ta ruajë mundësinë për ta rikthyer Endrickun në të ardhmen, në rast se ai zhvillohet dhe shkëlqen në fanellën e Milanit.
Klubi italian ka disa përparësi në këtë garë. Njëra prej tyre është marrëdhënia e mirë me përfaqësuesit e futbollistit, kompaninë ROC Nation, ndërsa tjetra është mundësia për t’i ofruar brazilianit më shumë minuta dhe një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Mungesa e hapësirave te Real Madridi raportohet se ka shkaktuar pakënaqësi në kampin e lojtarit, duke bërë që largimi i tij gjatë afatit kalimtar të janarit të shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi reale./Telegrafi/

